Ministri Vitia premton rritje të pagave për 30 për qind për punëtorët e higjienës në QKUK

Kosova

Ministri Vitia premton rritje të pagave për 30 për qind për punëtorët e higjienës në QKUK

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 15:35
Foto ilustrim

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vizituar sot punëtorët e higjienës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe ka premtuar rritje të pagës për ta.

Vizita e Vitisë pason pas mbledhjes urgjente të sotme të Bordit të Shërbimit Spitalor Universitar i Kosovës, lidhur me dështimin në menaxhimin e higjienës dhe kontrollin e infeksioneve spitalore.

“U takuam sot me punëtorët e higjienës në QKUK. Për shumë vite kemi dëgjuar prej tyre nevojat e vështirësitë. Por sot pata mundësinë që t’i njoftoja se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, rritëm buxhetin në mënyrë që dhe pagat e tyre të rriten. Rritja është mbi 30% e pagës aktuale”, ka shkruar ministri Vitia në Facebook.

Ai tha se pagat duhet të jenë të dinjitetshme aq më shumë për ata që kryejnë shërbime kaq të vyeshme për shëndetin publik.

“Punëtorët që kujdesen për higjienën në QKUK janë në frontin e parë të përpjekjes për ta transformuar nivelin e higjienës në klinika. QKUK ka aktualisht 319 punëtorë që kujdesen për mirëmbajtjen e higjienës brenda QKUK–së. Kështu, bashkë me ta folëm sot se si ne do të adresojmë kërkesat e tyre e së bashku të ecim para me planet që QKUK të jetë në tjetër nivel të shërbimeve mbështetëse.  Bashkë me Drejtorin e SHSKUK Elvir Azizi diskutuam me ta për punët që na presim dhe investimet e mbështetjen që do të japim”, tha ministri Vitia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat