Nis ndërtimi i çerdhes në Godanc të Shtimes, Kurti: Qeveria ka investuar deri tash 10,7 milionë euro për çerdhe

Kosova

Nis ndërtimi i çerdhes në Godanc të Shtimes, Kurti: Qeveria ka investuar deri tash 10,7 milionë euro për çerdhe

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 15:41
Foto ilustrim

Rreth 415 mijë euro do të kushtojë çerdhja në Godanc të Shtimes, të cilës sot i është vendosur gurthemeli. Aty u tha se pritet që brenda dy vjetëve të funksionalizohet kjo çerdhe, kapacitetet e së cilës do të jenë për më shumë se 70 fëmijë. Në vendosjen e gurthemelit ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Shefi i ekzekutivit tha se qeveria po angazhohet për të investuar për fëmijët, të cilët janë e ardhmja e vendit.

Kurti: Sot është një ditë e gëzuar për Godancin dhe Shtimen

"Sot është një ditë e gëzuar për Godancin dhe Shtimen, për fëmijët dhe për prindërit që e vëmë gurthemelin e çerdhes së re këtu që paraqet përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Inovacionit dhe Komunës së Shtimes për të investuar dhe për tu kujdesur për fëmijët që janë edhe e tashmja edhe e ardhmja e vendit tonë. Edukimi i hershëm është vendimtar për karakterin dhe tejet i rëndësishëm për karrierën e këtyre fëmijëve një ditë kur ata do të rriten dhe do të vazhdojnë punët e mira që i bën brezi ynë edhe për vetën e tyre por edhe për ata që do të vijnë pas tyre si gjenerata të reja në të ardhmen”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se deri më tani kanë investuar mbi 10 milionë euro për çerdhe.

Kurti: Qeveria ka investuar deri më tash 10,7 milionë euro për çerdhe

“Qeveria e Kosovës ka investuar deri më tash 10,7 milionë euro para të buxhetit të shtetit tonë për çerdhe dhe janë edhe 5 milionë të tjera prej IPA-s, fondeve të Bashkimit Evropian, kjo është çerdhja e 31-të në mesin e atyre qe i kemi ndërtuar rinovuar e adaptuar”, shtoi Kurti.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se përveç në Godanc, është paraparë ndërtimi edhe i çerdheve tjera.

Nagavci: Në fillim të muajit të ardhshëm do të finalizohet çerdhja në Muzeqinë të Shtimes

“Deri në fillim të muajit të ardhshëm do të finalizohet edhe çerdhja e cila është duke u ndërtuar në Muzeqinë të Shtimes dhe kemi paraparë për vitin e ardhshëm edhe çerdhen në Petrovë, të cilat janë disa nga investimet në këtë komunë, konkretisht për çerdhe. Dhe, kjo çerdhe është njëra nga gjashtë çerdhet e reja që po fillojmë t’i ndërtojmë, për të cilat janë nënshkruar kontratat gjatë muajit të kaluar, e që do të vendosim gurthemelet gjatë javës në vijim”, theksoi ajo.

E kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu u zotua se gjatë mandatit të tij do të ndërtohen çerdhe në katër anët e qytetit të Shtimes.

Aliu: Kjo çerdhe do të kushtojë rreth 415 mijë euro

“Po fillon ndërtimi i çerdhes kaq të nevojshme për këta mbi 5 mijë banorë. Një çerdhe e cila do të kushtojë diku rreth 415 mijë euro, që në afat dyvjeçar do të funksionalizohet për më shumë se 70 shtretër për më të vegjlit tanë. Kështu që unë e kam nderin dhe kënaqësinë që së bashku me kryeministrin dhe me ministren me qenë këtu dhe t’i falënderojë nga zemra për vëmendjen që kanë për fëmijët e Shtimes, për qytetarët e Shtimes me investimet e tyre që çdo ditë e më shumë po na lehtësojnë jetën dhe po na çojnë drejt Bashkimit Evropian dhe standardeve jetësore të mirëfillta... Ne kemi fatin me projekte konkrete dhe të studiuara mirë nga një çerdhe që e kemi gjetur në Komunën e Shtimes, brenda këtij mandati katërvjeçar t’i shtojmë edhe tri çerdhe të tjera”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat