​PSHDK shënon 33-vjetorin e themelimit, demokristianët shtylla e Kosovës

Kosova

​PSHDK shënon 33-vjetorin e themelimit, demokristianët shtylla e Kosovës

Më: 4 nëntor 2023 Në ora: 14:52
​PSHDK shënon 33-vjetorin e themelimit

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) sot ka shënuar 33-vjetorin e themelimit të saj, me ç’rast u ndanë mirënjohje për kontribut-dhënësit dhe themeluesit e kësaj partie.

Kryetari i PSHDK-së, Zef Morina tha se elita politike duhet të qëndrojë e bashkuar me miqtë e Kosovës, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet sovraniteti.

Morina: Kosova të qëndrojë e bashkuar me miqtë ndërkombëtarë

“Institucionet shtetërore dhe elita politike të Kosovës duhet të jenë më të bashkuara, të mos udhëhiqen nga partia elitarë dhe populliste, por të punojnë për interesin e Kosovës, gjë që nuk janë duke e bërë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të lidhur ngushtë me faktorin ndërkombëtar, miqtë tanë, Bashkimin Evropian dhe SHBA-të, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet sovraniteti... Populli i Kosovës është qartë i orientuar drejt liberalizimit dhe e vetmja rrugë për Kosovën është nga këtu, nga miqtë ndërkombëtarë SHBA-së dhe Bashkimi Evropian dhe NATO, dhe sidomos vendi ynë të jenë krah interesave të popullit të Kosovës ne dialogun me Serbinë, ashtu siç e ndihmuan në kohën më të vështirë”, tha Morina.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Nark Ndoka u shpreh se 33 vjet të Partisë Demokristiane janë i gjithë kontributi që ka dhënë për Kosovën në formimin e saj shtetëror. Ai tha se demokristianët kanë arritur të jenë shtylla kurrizore e popullit shqiptar.

Ndoka: Demokristianët, shtylla kurrizore e popullit shqiptar

“33 vjet nuk janë pak, por nuk janë as shumë për një parti politike, për kontributin që kanë dhënë gjatë këtyre viteve në formimin e shtetit. Ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me LDK-në, me presidentin Rugova duke i dhënë një dimension tjetër edhe Kosovës. Kam një përshtypje se demokristianët janë shtylla kurrizore e popullit shqiptar. Unë ndihem mirë kur demokristianët kanë arritur të jenë një subjekt politik i Kosovës, duke shpresuar që së shpejt do të rikthehen në vendin e tyre siç janë që janë vota, pesha, historia e Kosovës”, u shpreh Ndoka.

Me këtë rast, e pranishme ishte edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e cila tha se rrugëtimi i demokristianëve është rrugëtimi kur robëria kalon në liri.

Çitaku: PSHDK-ja do të kontribuojë edhe në të ardhmen për Kosovën

“Tri dekada rrugëtim, rrugëtim në kohën ku janë varë epokat, kur kemi kaluar nga robëria në liri, nga robëria në pavarësi, nga komunizmi në demokraci dhe ky rrugëtim do të kishte qenë shumë i varfër pa kontributin e Partisë Demokristiane. Faleminderit, edhe unë jam e bindur në të kaluarën dhe ne të ardhmen vula dhe kontributi i PSHDK-së do të jetë aty siç është në deklaratën e pavarësisë,” tha Çitaku.

Ndërsa ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni tha se PSHDK-ja vazhdon të jetë një vlerë e pazëvendësueshëm e politikës në Kosovë.

Hyseni, derisa ka kritikuar qeverinë aktuale në vend, theksoi se Kosova ka nevojë për subjektivitet të fuqishëm ndërkombëtar.

Hyseni: Kosova ka nevojë për subjektivitet të fuqishëm ndërkombëtar

“PSHDK-ja prore, unë e kam një bindje të thellë ka qenë dhe vazhdon të jetë dhe duhet të jete edhe në të ardhmen një vlerë e shtuar e pazëvendësueshme në rrugën politike të Kosovës...Mos të mashtrohemi, ende s’e kemi përfunduar të gjithën, është iluzion, është bërë veprim politik të pretendohet që i kemi përfunduar të gjitha punët e mëdha dhe tash nuk do të sillemi në politikë me komoditet siç po sillen tash. Shpresova se kësaj radhe nuk do të kritikoj qeverinë aktuale që udhëheq këtë herë, por nuk po mundem. Ky vend ka nevojë për një rivitalizim rrënjësor të qëllimeve politike dhe forcimet te subjektiviteti ndërkombëtar i Republikës së Kosovës”, tha Hyseni.

Edhe nënkryetari i Alternativës, Reshat Nurboja tha se shteti i Kosovës ka nevojë për një parti si Partia Shqiptare Demokristiane.

Nurboja: Kosova ka nevojë për një parti si PSHDK-ja

“Me këtë datë duhet të dhe me këtë përvjetor duhet të i përkujtojmë edhe t’i nderojmë dhe njëkohësisht t’i falënderojmë për arsyeje se me punën e tyre i kanë jap një dimension tjetër skenës politike në ato vite. Partia Shqiptare Demokristiane ka pasur në gjirin e vet pjesën më elitare, e ka pasur edhe LDK-ja. Vërtet, elita intelektuale e Kosovës ka qenë e kyçur në Partinë Shqiptare Demokristiane dhe ka qenë vlerë e shtuar e skenës polikë, shpresoj dhe besoj ashtu duhet të jetë edhe tani. Dhe shpresoj dhe besoj që atë mbledhje të shtuar që e ka PSHDK-ja do të i rikthehet Kosovës se ka nevojë Kosova për një parti çfarë është Partia Shqiptare Demokristiane”, tha Nurboja.

Ndryshe, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), u themelua më 4 nëntor 1990.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat