Vendoset gurthemeli i projektit ‘’Ndërtimi i fundërruesit për sistemin e filtrimit të ujit të pijes’’ në Klinë

Kosova

Vendoset gurthemeli i projektit ‘’Ndërtimi i fundërruesit për sistemin e filtrimit të ujit të pijes’’ në Klinë

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 14:53
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, mori sot pjesë në vënien e gurthemelit të projektit “Ndërtimi i fundërruesit për sistemin e filtrimit të ujit të pijes”, projekt i bashkëfinancuar nga MAPL dhe Komuna e Klinës.

Kryeministri Kurti tha se ishte kënaqësi të ishte sot në Klinë me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin dhe me inxhinierët e ‘’Hidrodrinit’’ me rastin e përurimit të ndërtimit të fundërruesve të cilët ujin e lumit e bëjnë ujë të pijshëm.

Ai tha se pavarësisht që Klina i ka gjashtë lumenj, fatkeqësisht i mungon uji i pijes, sepse uji i lumit vetvetiu nuk është ujë i pijes.

“Për t’u bërë ujë i pijes është i rëndësishëm ndërtimi i këtyre fundërruesve të cilët e bëjnë filtrimin e ujit dhe në këtë mënyrë nëpër shtëpitë e qytetarëve të Klinës ai bëhet ujë për përdorim për pije’’, tha në deklarimin e tij para gazetarëve kryeministri Kurti.

Me këtë rast, kryeministri tha se sot është një ditë e gëzuar edhe për banorët e Klinës edhe për kryetarin Zenun Elezaj, për ministrin Elbert Krasniqi për Qeverinë e Republikës, duke uruar që do të vazhdojë bashkëpunimi i këtillë midis Qeverisë edhe Komunës dhe në Projekte të tjera me bashkëfinancim e me bashkëpunim.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tha se ky projekt po realizohet në harmoni të plotë me premtimet e Komisionit Ndërministror që është themeluar nga kryeministri Kurti.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi u shpreh i lumtur që Komuna e Klinës është përcaktuar për këtë lloj të projektit nga i cili shumë dhe në mënyrë të drejtpërdrejt përfitojnë qytetarët e kësaj komune.

‘’Është e rëndësishme se i jepet një mundësi e mirë me zgjidh pjesën e parë të problemit të ujit të pijes në Klinë dhe sigurisht në diskutimet që i kemi edhe me Ministrinë e Ekonomisë në grupin tonë ndërministror që në të ardhmen të vazhdojë të kemi mbulueshmëri në krejt territorin e komunës së Klinës’’, tha ministri Krasniqi.

Vlera e projektit është 849,921.83 euro, MAPL bashkëfinancon në vlerë prej 200 mijë euro, ndërsa vlera tjetër financohet nga Komuna e Klinës.

Deklarimi i plotë i kryeministrit:

Faleminderit shumë i nderuar Kryetar i Komunës dhe profesor Zenun Elezaj, me të cilin njihemi ngahera.

Është kënaqësi që jemi bashkë këtu me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin dhe me inxhinierët e ‘’Hidrodrinit’’ me rastin e përurimit të ndërtimit të fundërruesve të cilët ujin e lumit e bëjnë ujë të pijshëm.

E dimë që Klina i ka gjashtë lumenj e i mungon uji i pijes. Por, uji i lumit vetvetiu nuk është ujë i pijes, për t’u bërë ujë i pijes është i rëndësishëm ndërtimi i këtyre fundërruesve të cilët e bëjnë filtrimin e ujit dhe në këtë mënyrë nëpër shtëpitë e qytetarëve të Klinës ai bëhet ujë për përdorim për pije.

Andaj, sot është një ditë e gëzuar edhe për banorët e Klinës edhe për kryetarin Zenun Elezaj, për ministrin Elbert Krasniqi, për Qeverinë e Republikës, dhe shpresoj që do të vazhdojë bashkëpunimi i këtillë midis Qeverisë edhe Komunës dhe në projekte të tjera me bashkëfinancim e me bashkëpunim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat