​Rritet numri i përdoruesve të drogave në Kosovë, dominon mosha e re

Kosova

​Rritet numri i përdoruesve të drogave në Kosovë, dominon mosha e re

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 10:29
Foto ilustrim

Numri i përdoruesve të drogave në Kosovë është rritur në gjashtëmujorin e vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Deri në qershor të këtij viti, rreth 89 persona narkotikë janë trajtuar në Klinikën e Psikiatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ndërkaq, sipas qendrës “Labyrinth” janë rreth mbi 40 mijë përdorues të drogave, ku dominon gjinia mashkullore dhe moshat e reja. Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme thotë se është në prag të finalizimit të Strategjisë së re Shtetërore Kundër Narkotikëve 2023-2028.

Drejtori i Klinikës Psikiatrike, Faton Kutllovci për KosovaPress thotë se ky vit ka shënuar një rritje në të gjitha çrregullimet psikike, derisa shtoi se në repartin e sëmundjeve të varësisë kryejnë vetëm detoksifikimin.

Në këtë rast, detoksifikimi është procesi i pastrimit të trupit nga droga ose alkooli që një individ ka konsumuar, derisa qëllimi është të menaxhojë në mënyrë të sigurt simptomat e varësisë kur dikush ndalon marrjen e drogës ose alkoolit.

"Viti 2023 ka shënuar një rritje në përgjithësi në të gjitha çrregullimet psikike, duke iu referuar kërkesave për trajtim në Klinikën e Psikiatrisë, qofshin ato ambulatore por edhe spitalore...Për vitin 2023 në gjashtë mujorin e parë kanë qenë 89 veta, që nëse ndajmë ose përgjysmojmë numrin e përgjithshëm të vitit 2022, kur kanë qenë 148, i bie që kanë shënuar rritje numri i personave që kanë kërkuar trajtim për shkak të abuzimit me substanca psiko aktive në Klinikën e Psikiatrisë, në ndërkohë që ne kemi edhe shërbimin për metadon. Në Klinikën e Psikiatrisë ne kryejmë në repartin e sëmundjeve të varësisë vetëm detoksifikimin, nuk kemi edhe protokole por edhe mundësi trajtimit për shkak të mungesës së hapësirave.Moshat më të prekura janë periudha prej moshës, dikur ka qenë prej 13-18 vjeç, tani ka rënë prej moshës 10 deri 18 vjeçare”, tha Kutllovci.

Kutllovci thotë se ka rënë në sy rritja e numrit të gjinisë femërore që abuzojnë me droga të ndryshme. Ai shton se Klinika e Psikiatrisë është në mungesë të dy psikiatërve që do të angazhoheshin në Repartin e Urgjencës Psikiatrike, derisa potencon se ka nevojë edhe për rritje të numrit të infermierëve.

Ndër të tjera, Kutllovci thotë se për herë të parë në Kosovë do të funksionalizohet reparti me shtretër për fëmije dhe adoleshentë, që sipas tij pritet të përfundoj në muajin nëntor.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth”, Safet Blakaj për KosovaPress thotë se janë rreth 40 mijë përdorues të drogave, derisa potencon se rreth 10 mijë prej tyre janë përdorues problematik të drogave.

"Në Kosovë, ne në Labirint mendojmë që janë rreth 40 mijë përdorues të drogave. Rreth 10 mijë prej tyre janë përdorues problematik të drogave. Definicioni i përdoruesve problematik të drogave është për ata persona që përdorin drogë dhe si pasojë e përdorimit të drogës, iu shkaktohen varshmëri si fizike si psiqike.Numri është gjithmonë më i madh i atyre që nuk kërkojnë shërbime mjekësore. Deri më tani janë 2700 e pak persona të regjistruar në bazën tonë...Që të gjithë janë përdorues problematik...Kërkesat e tyre janë të shpeshta që të mos regjistrohen. Marihuana është që më ë shumti përdoret në Kosovë, pastaj vjen kokaina menjëherë pas saj. Në këtë rast numri është në shpejtësi duke u rritur. Brenda tri viteve të fundit është rritur dukshëm, numri i përdoruesve të kokainës”, tha Blakaj.

Blakaj potencon se kokaina është droga më e shtrenjtë, ku grami i saj shkon deri në 80 euro. Ai shton se heroina është rreth 35 euro për gram, ndërsa sipas tij drogat e tjera janë më të lira.

Terapisti, Safet Blakaj vuri në theks se është shumë e nevojshme një strategji e re me një program gjithëpërfshirës kombëtar, për parandalimin e përdorimit të drogave.

Lidhur me këtë, Ministria e Punëve të Brendshme thotë se është në prag të finalizimit të Strategjisë së re Shtetërore Kundër Narkotikëve 2023-2028.

Përmes një përgjigje me shkrim, MPB-ja njofton se kjo strategji do të jetë e standardizuar me strategjinë e Bashkimit Evropian ( BE) duke ju përshtatur nevojave të vendit tonë dhe është strategjia e katërt me radhë.

“Ministria e Punëve të Brendshme është në prag të finalizimit të Strategjisë së re Shtetërore Kundër Narkotikëve 2023-2028. Kjo strategji do të jetë e standardizuar me strategjinë e Bashkimit Evropian ( BE) duke ju përshtatur nevojave të vendit tonë dhe është strategjia e katërt me radhë. Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka qenë e angazhuar në veprimet e parandalimit, hetimit, përgjimit dhe arrestimit të personave që kryejnë të gjitha format e veprave penale që lidhen me substanca narkotike (drogave). Përgjatë territorit të Republikës së Kosovës, Drejtoria e Drogës ka qenë e vetmja drejtori përgjegjëse për hetimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e substancave narkotike dhe po ashtu në luftën kundër grupeve kriminale”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Ndërkaq, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë arrestuar 102 përdorues të drogës, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë arrestuar 228 persona për këtë vepër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat