Kërcënoi me jetë gazetarin, ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarit

Kosova

Kërcënoi me jetë gazetarin, ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarit

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 12:09
Foto ilustrim

Të mërkurën (8 nëntor), Bujar Behrami, kishte kërcënuar me jetë gazetarin e Kiks Kosova, Herolind Ademi.

Ky i fundit e kishte paraqitur rastin te organet e rendit, gjë që kishte çuar edhe në ndalimin e Behramit.

Ndërkaq sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ndaj të dyshuarit Behrami është ngritur aktakuzë me propozimin për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprës penale “Kanosja”.

“Ju njoftojmë lidhur me rastin e kanosjes ndaj të dëmtuarit-gazetarit H.A., ashtu që ndaj të pandehurit, Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë me propozim për caktimin e masës së paraburgimit, në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’”, ka njoftuar PTh-ja e Prishtinës.

“Mos m’u përzij në punë të mija, që don me jetu edhe naj ditë”.

Ky është kërcënimi që Bujar Behrami ia bëri gazetarit të emisionit Kiks Kosova, Herolind Ademi.

Behrami u revoltua pasi u zbulua nga Kiksi se ai po i mashtronte klientët, duke iu shitur atyre në mënyrë ilegale kanalet kabllore të operatorëve vendorë, të cilët shpenzojnë miliona euro për të prodhuar atë përmbajtje.

Ai vazhdoi kërcënimet ndaj gazetarit, pasi kuptoi se është objekt i hulumtimit dhe ka rënë nën llupën e gazetarëve.

“Veç po të kallëzoj, tërheku prej meje, mos m’u përzij se nuk han mo bukë. Kjo është e fundit se t’kom lokalizu, e di saktë lokacionin tuaj.”

Kaq i revoltuar Behrami nuk ishte kur bënte pazar me gazetarin për t’ia shitur ofertat e platformave “Smart Buki” dhe “Tija”, të cilat shesin përmbajtje të vjedhura, duke fituar miliona euro në kurriz të të tjerëve.

Ai nuk ofronte asnjë kontratë ose kupon fiskal për ofertat që shiste, duke e pranuar edhe vetë se me këtë veprimtari, është duke e shkelur ligjin.

“Unë nuk thash është legale, është ilegale…”, ka thënë ndër të tjera Behrami.

Kërcënimet Behrami i vazhdoi edhe më tutje në telefonin personal të gazetarit dhe në telefonin e recepsionit të Klan Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat