​Afro 1 mijë pacientë vizitojnë Klinikën e Endokrinologjisë brenda vitit

Kosova

​Afro 1 mijë pacientë vizitojnë Klinikën e Endokrinologjisë brenda vitit

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 10:36
Merita Sadiku

Mbi 800 pacientë kanë vizituar gjatë këtij viti Klinikën e Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku 510 prej tyre janë me diabet. Rreth 75 për qind prej tyre janë diagnostikuar me diabet melit (sëmundjen e sheqerit), ku mbi 90 për qind e tyre janë me diabet të tipit 2, ndërkaq të tjerët me diabet tip 1 dhe diabet gjatë shtatzënisë.

Kështu thotë drejtoresha e Endokrinologjisë, Merita Sadiku, derisa potencon se gjinia femërore dominon me këtë sëmundje, krahasuar me meshkujt.

Sadiku: Ne si klinikë e Endokrinologjisë brenda vitit i kemi mbi 800 pacientë

"Ne si klinikë e Endokrinologjisë brenda vitit i kemi mbi 800 pacientë, ndryshon vitin 2021 nga viti 2022, në vitin 2023. Në vitin 2022 ka qenë vit i plotë, kanë qenë 820 pacientë. 75 për qind e këtyre pacientëve janë me diabet melit, sëmundjen e sheqerit, diku 92 për qind janë me diabet tip 2.5 % për qind me diabet tip 1, dhe 3 për qind me diabet gjatë shtatzënisë. Femrat dominojnë në krahasim me meshkujt, diku 53 për qind, 47 për qind janë meshkuj. Kohëzgjatja e pacientëve me sëmundjen e sheqerit të shtuar në klinikë është mbi 11 vite... Ndërsa mosha mesatare e pacientëve është 63 vite, që është moshë e pjekur ose moshë e shtyrë", thotë Sadiku.

Sadiku thotë se sëmundja e diabetit ashtu si në tërë botën, edhe në Kosovë është në rritje e sipër. Sipas saj, shkaktarët kryesor janë mos ushqyerja me rregull, mungesa e aktivitetit fizik, prania e stresit etj.

Siç thotë ajo, në Kosovë dominojnë pacientët me diabet tip 2, të cilit fillimisht trajtohen me barna e më pas edhe me insulinë.

Sadiku: Në Kosovë dominojnë pacientët me diabet tip 2

"Sëmundja e diabetit apo e sheqerit është sëmundje kronike e cila në të gjithë botën, po ashtu edhe në Kosovë është në rritje e sipër. Kjo jo për shkak të faktit se mungojnë mjekët ose mungojnë mjetet diagnostike ose terapeutike, por vetë ecuria e sëmundjes është e tillë, sepse pacientët jo të gjithë ose njerëzit ushqehen ashtu siç duhet, aktivitet fizik kanë më pak, stresi sa më shumë që po vjen duke u rritur. këta janë faktorët që e rritin numrin e pacientëve me diabet. Edhe në Kosovë dominojnë pacientët me diabet tip 2, që pacientët që fillimisht trajtohen me barna, pastaj vjen një kohë kur trajtohet me insulinë. Ndërsa me diabet Tip 1 janë më pak e po ashtu me diabet gjatë shtatzëninë edhe më pak", potencon Sadiku.

Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Sadiku thotë se sipas një analize 19 mujore të bërë nga janari 2021 deri në korrik të vitit 2022, tregon se sëmundja e sheqerit shkakton shumë komplikime kronike. Ajo tregon se nga ky hulumtim del se mbi 60 për qind kanë sëmundje kardiovaskulare, 53 për qind neuropati diabetike, ndërsa rreth 25 për qind sëmundje të veshkave nga diabeti. Ajo shton se me këmbë diabetike kanë rezultuar 7.5 për qind.

Sadiku: Sëmundja e sheqerit ka shumë komplikime kronike, dëmtim në sy, veshka e në zemër

"Nga kjo analizë 19 mujore prej janari 2021 deri në korrik të vitit 2022, i kemi analizuar të gjithë pacientët me diabet, çfarë lloj të komplikimeve kanë. Sëmundja e sheqerit ka shumë komplikime kronike...kur ka dëmtime në sy dëmtime në veshka, dëmtime në zemër. Nga krejt këto i kemi nxjerrë të dhënat, diku mbi 60 për qind kanë sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të syve kanë 39.5 për qind, neuropati diabetike 53 për qind, neuropati apo sëmundje të veshkave nga diabeti 24.7 për qind...Edhe këmbë diabetike 7. 5 për qind", thekson Sadiku.

Ndryshe, dje është shënuar Dita Botërore e Diabetit, ku edhe në Kosovë ka pasur aktivitete për nder të saj.

Diabeti është një sëmundje kronike metabolike e karakterizuar nga nivele të larta të glukozës në gjak, e cila me kalimin e kohës çon në dëmtime serioze të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave dhe nervave. Më i zakonshmi është diabeti i tip 2, zakonisht tek të rriturit, i cili shfaqet kur trupi bëhet rezistent ndaj insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 422 milionë njerëz në mbarë botën kanë diabet, shumica jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, dhe 1.5 milionë vdekje i atribuohen drejtpërdrejt diabetit çdo vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat