​Të pakënaqur me projektbuxhetin, kjo komunë kërcënon Qeverinë me padi

Kosova

​Të pakënaqur me projektbuxhetin, kjo komunë kërcënon Qeverinë me padi

Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi shprehet i pakënaqur me Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024 për komunën që drejton ai. Latifi thekson se Qeveria ka ndarë buxhetin e vitit të ardhshëm mbi bazat partiake nëpër komuna, dhe sipas tij, ekzekutivi ka diskriminuar qytetarët rahovecianë duke mos përkrahur projektet aktuale dhe ato të reja që janë jetike për këtë komunë.

Latifi që vjen nga partia e AAK-së, derisa ka renditur një mori sfidash që e përcjellin këtë komunë për mungesë të buxhetit për vitin e ardhshëm, konsideron se qeveria duhet të fokusohet që buxheti mos të jetë vetëm social, por të jetë edhe zhvillimor.

Ai shton se do t’i shfrytëzojnë mundësitë tjera ligjore në mënyrë që të nxjerrin siç tha si ndonjë projekt kapital. Ndërsa thotë se sfidë mbetet edhe Kontrata kolektiva, për çka kërkon nga qeveria ta marrë përsipër këtë barrë.Latifi në një intervistë për KosovaPress thotë se ka projekte që nuk janë më pjesë e planit të vitit 2024.

Latifi: Konsiderojmë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për t’i realizuar kontratat që janë në zbatim

Ne kemi disa kontrata të cilat financohen nga Qeveria, Ministritë e linjës dhe konsiderojmë që në kontratat të cilat janë në zbatim në bazë të asaj që kemi pa nuk mund të themi që ka buxhetim të mjaftueshëm për kontratat ekzistuese që financohen nga Qeveria. Shembull, rruga katër korsi që është nga Rahoveci deri në Xërxë, në qoftë se kontrata është gjashtë milionë e gjysmë, ne kemi shkuar deri diku, disa pagesa janë bërë nga Ministria e Planifikimit Hapësinor, Infrastrukturës, transportit etj. kemi 400 mijë euro, ndërkohë që për vitin 2025 pastaj vazhdon të buxhetohet, në vitin 2026. Ne tash do të duhej ta përfundonim më shpejt këtë projekt që ka rreth tri vjet që është në zbatim. Po ashtu kemi një projekt të ri që në bazë të buxhetit është financimi i Qendrës për Kulturë, Rini, Arte dhe Inovacion në Rahovec, ose Qendra Kulturore në Rahovec që po konsiderohet që në bazë të asaj që nuk ndërron diçka, ne do të jemi bashkëfinancues me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Projekti i ri është edhe stadiumi, një kod i ri për stadiumin në qytet, mirëpo ne nuk kemi harruar faktin që kemi pas memorandume të bashkëpunimit për stadiumin në Krushë, Ratkoc dhe për palestrën sportive në Krushë të Madhe. Pra, ato projekte tashmë nuk janë më. E kemi një projekt të ri, por ato tri projekte të cilat po ashtu janë prioritare me rëndësi nuk janë, nuk janë paraparë. E kemi një çerdhe në qytet që ka vazhduar ndërtimi i çerdhes së re për fëmijët në qytet, është që dy vjet dhe po pritet tash që të nënshkruhet kontrata”, thotë Latifi.

Duke folur për buxhetin e vitit të ardhshëm, Latifi thotë se nëse merret parasysh rritja e çmimeve, nuk ka rritje të buxhetit. Ai shton se në Komunën e Rahovecit nuk ka rritje të investimeve kapitale.

Latifi: Në komunën tonë nuk ka rritje të investimeve kapitale

Në komunën tonë nuk ka ndonjë rritje të investimeve kapitale. Kur kemi parasysh inflacionin, rritjen e çmimeve, pavarësisht se proklamohet një rritje e buxhetit, që buxheti për Komunën e Rahovecit parashihet të rritet 2 milionë e 400 mijë euro më shumë se këtë vit, mirëpo kur kemi parasysh inflacionin, rritjen e çmimeve dhe zbatimin e ligjit për paga, atëherë nuk ka rritje. Madje, kur jemi tek Ligji i Pagave, janë marrë disa mostra sa punëtorë ka në korrik dhe ekziston mundësia me pas deficit në paga, punonjësit publik, administratën “, thotë ai.

Problem tjetër për këtë komunë me ndarjen e buxhetit për vitin 2024, sipas Latifit, parashihet edhe Kontrata kolektive. Sipas Latifit nëse Qeveria dhe Ministria e Financave nuk ndërmarrin hapa në këtë drejtim, do të shkaktohen telashe të papërballueshme për komunën.

Latifi: Qeveria të marrë përgjegjësi për Kontratën kolektive, mos ta lë barrën tek komunat

“Kemi një problem jashtëzakonisht të madh me zbatimin e Kontratës kolektive si një e drejtë legjitime e secilit mësimdhënës qoftë për shujta, udhëtim, tash për kualifikime...Pra, Kontratën kolektive vetë e kanë nënshkruar niveli qendror, ndërsa barra financiare fatkeqësisht po i bie komunave, në këtë rast neve na prek shumë, sepse në bazë të një kalkulimi mbi 2 milionë euro duhet t’i paguajmë. Në qoftë se Qeveria, Ministria e Financave nuk mendojnë që Kontrata kolektive do të zbatohet duke marrë para nga kodi i pagave dhe mëditjeve, atëherë ne do të kemi vështirësi serioze për shkak se do të merren nga mallrat dhe shërbimet, subvencionet, nga të hyrat vetanake, nga investimet kapitale dhe kjo i shkakton seriozisht telashe të pakapërcyeshme komunave, sidomos atyre që janë të mesme, siç është e Rahoveci”, thotë Latifi.

Ai derisa thotë se është i pakënaqur me ndarjen e buxhetit, shton se do të shfrytëzojnë mundësitë tjera ligjore që të nxjerrin edhe ndonjë projekt kapital.

Latifi: Do t’i shfrytëzojmë mundësitë tjera ligjore që të nxjerrim ndonjë projekt kapital

Ky buxhet nuk mund të themi që na imponon një situatë që të ndihemi të kënaqur, për shkak se kemi kërkuar përkrahje shumë më shumë dhe nuk kemi marrë. Natyrisht ne do t’i shfrytëzojmë mundësitë tjera ligjore, do t’i drejtohemi edhe Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere që me amendamentim pasi ta kalon leximin e parë (mes dy leximeve) të nxjerrim edhe ndonjë projekt kapital, siç bie fjala për financimin e shtretërve të përrenjve dhe lumenjve problematik, përkrahja financiare në kolektor të ujërave të zeza, pastaj kemi kërkesë për impiant të ujërave të zeza. Këto janë projekte dhjetëra milionëshe sikurse kemi kërkesë pastaj edhe për Drinin e Bardhë ta trajtojmë... Kërkojmë me ngulm që të kemi mbështetje në projekte konkrete që duhet të jenë edhe prioritet i qeverisë dhe jo vetëm i komunës”, shton Latifi.

Mes tjerash, Latifi vlerëson se buxheti duhet të jetë zhvillimor dhe jo vetëm social.

Latifi: Duhet të fokusohet që buxheti mos të jetë vetëm social, por të jetë edhe zhvillimor

Në rishikim të buxhetit duhet të trajtohen, duhet të fokusohet që buxheti mos të jetë vetëm social, por të jetë edhe zhvillimor. Të zbërthehet koncepti zhvillimit përmes projekteve konkrete, investimeve kapitale, qarkullimi i parasë angazhon njerëz, potencial edhe të rinjve, është mundësi për të parandaluar ose zvogëluar migrimin. Sa më shumë buxhet për investime kapitale, do të jenë mundësitë më të mira për zhvillim”, thotë Latifi.

Kuvendi i Kosovës të enjten ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin e 2024 në vlerë 3 miliardë e 314 milionë euro. Në këtë seancë partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë për hartimin e këtij projektbuxheti, i cili sipas tyre është i varfërisë dhe stagnues.

Në anën tjetër, kryeministri, Albin Kurti gjatë prezantimit të këtij projketligji në Kuvend, ka thënë para deputetëve se me buxhetin e vitit 2024 ka rritje të buxhetit për komunat ku janë paraparë 742 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat