Pas 5 vjetësh, në Miradi të Epërme mund të mos ketë vend për varreza

Kosova

Pas 5 vjetësh, në Miradi të Epërme mund të mos ketë vend për varreza

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 19:54
Miradi e Epërme

Për më pak se 5 vjet, në Miradi të Epërme mund të mos ketë vend edhe për asnjë varr të vetëm.

Kjo pasi hapësira e dedikuar për varreza po mbaron dhe për këtë komuna e Fushë-Kosovës ka vite që po shqyrton gjetjen e një lokacioni të ri.

Në 2018, komuna, pas kërkesës së banorëve, hodhi si ide blerjen e një parcele afër varrezave të vjetra, madje për këtë mori edhe një vendim Kuvendi Komunal, ku thuhej që toka që ishte në afërsi të varrezave do të blihet nga komuna e Fushë-Kosovës.

Por 5 vjet pas këtij vendimi, planet ndryshuan. Tash komuna do që këtë tokë ta shkëmbejë me një parcelë tjetër publike që ndodhet në atë fshat.

Kjo ide e nisur nga kryetari i komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka ngjallur shqetësim të madh te banorët e fshatit Miradi e Epërme.

Problemi qëndron se miradiasit i frikësohen faktit se do të mbesin pa asnjë pronë publike.

Mbetja pa asnjë pronë publike erdhi edhe për faktin se gjatë vërshimeve të mëparshme të lumit Sitnica, komuna kompensoi dëmet e shkaktuara nga egërsimi i lumit me tokat publike të këtij fshati.

Për me tepër, prona afër varrezave njëherë ka qenë pronë e një qytetari serb, por që më vonë ajo kaloi në pronësi të një shqiptari, e që duke qenë kështu, ai ka frikë se dallaveret kanë nisur që atëherë.

Historia e parcelës që ka ngritur në këmbë banorët e Miradisë së Epërme nis qysh në majin e vitit të kaluar, bazuar në një dokument që e ka siguruar Kiks Kosova, kjo pronë ka kaluar në pronësi të Avdyl Rexhepit më 25 maj të 2022.

Në të njëjtin dokument, Rexhepi kishte theksuar se do të pajtohet me çfarëdo vendimi që komuna dhe banorët do të dakordoheshin, duke lënë të hapur edhe shitjen e parcelës.

Miradia e Epërme ndodhet jo shumë larg nga qendra e komunës së Fushë-Kosovës, por aty nuk ka asnjë park rekreativ për fëmijët dhe të rriturit. Reçica ngre shqetësimin se shkëmbimi i pronës së vetme publike do ta lërë këtë fshat për breza me radhë pa një gjë të tillë.

Banorët janë të vendosur të kundërshtojnë shkëmbimin e tokave, edhe nëse është e domosdoshme për varrezat, ata duan që komuna ta blejë atë, ashtu siç u kishte premtuar në 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat