​Të rinjtë nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian kërkojnë trajtim të dinjitetshëm

Kosova

​Të rinjtë nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian kërkojnë trajtim të dinjitetshëm

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 17:00
Foto ilustrim

Gjetja e një vendi pune dhe trajtimi i barabartë në shoqëri, përbën sfidën më të madhe më të cilën të rinjtë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian konsiderojnë se po përballen në shoqëri.

Kështu u tha në trajnimin e sotëm, ku mbi 15 nxënës bashkë me mësimdhënësit e tyre të shkollës së mesme profesionale “Mithat Frashëri” në Istog, janë trajnuar mbi edukimin mediatik.

Gentrit Shaqiri, nxënës në klasën e 12-të, tregon se nuk është pranuar në punë si kamerier, për shkak se është pjesëtar i komunitetit rom. Ai thotë se si pasojë e paragjykimeve i është pamundësuar punësimin. Ai potencon se si komunitet shpesh bullizohen, për çka bën thirrje që të ndalet diskriminimi.

Shaqiri: Nuk jam pranuar në punë pasi jam rom

“Si komunitet varet prej personit, si është personi, në çfarë gjendje është, qysh di të flasë ose të jetë në shoqëri…Kam dëgjuar që e kanë bullizuar, vetëm pse ka qenë me ngjyrë tjetër, e kanë dalluar shumë… Mjafton të mos na ndalojnë… Ta tregoj një rast konkret për veten. Unë s’kam mund të hyj në punë, jo pse kanë qenë shefat racistë, por, për shkak të myshterinjve, të cilët do të thoshin se ky është kamerieri i komunitetit. Për këtë arsye s’kam mund të hyj në një lokal…Ka qenë e vështirë, por tani jam person pak më i hapur dhe shikoj edhe gjëra të tjera…Në trajnim sot kemi kaluar shumë mirë dhe kemi marrë informata të mira për media. Kemi punuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin”, tha Shaqiri.

Ndër të tjera, Shaqiri konsideron se nga trajnimi i sotëm ka marrë informacione të nevojshme sa i përket medias.

Një përvojë të ngjashme e tregon edhe 16-vjeçari, Xhafer Hajrizaj, i cili thotë se një familjar i tij i është mohuar të bëhet pjesë e Policisë së Kosovës apo Forcave të Sigurisë së Kosovës, sipas tij, vetëm për shkak se janë pjesë e komunitetit jo-shumicë.

Hajrizaj tregon se vitin e ardhëm pret të aplikoje në shkollë për drejtimin automekanik, për çka shpreson të gjejë një vend pune. 16-vjeçari egjiptian, ani pse nuk vijon mësimet, thotë se i ndihmon babait të tij për të punuar.

Hajrizaj: Axhën tim nuk e pranuan në punë vetëm pse është egjiptian

“Nëse merr (babai) diku punë private, punoj me të. Të gjitha punët, pastrim të oborreve e kështu me radhë. Po e pres vitin tjetër për t’u regjistruar në një drejtim tjetër, dëshiroj të jem automekanik…A jeni ndjerë të bullizuar ndonjëherë? Ka ndodhur raste, po edhe jo. Për shembull, bullizime që kanë bërë, nuk e marr afër zemrës…Trajnimi ka qenë shumë mirë. Kemi mësuar gjëra që nuk i kemi ditur. Për shembull, e di që ka pasur lajme të rrejshme, por më shumë iu kam besuar. Sot e kam kuptuar që ka shumë të pavërteta, që nuk ka realitet dhe mësuam që mos të gabojmë…Çfarë kërkesash keni ndaj të tjerëve lidhur me të drejtat e komunitetit tuaj? Të na i japin të drejtat në ato drejtime që duam të realizojmë ëndrrën për punë ku nuk mund të hyjmë dhe të na japin shansin të gjithëve. I ka ndodhur axhës tim që nuk e kanë pranuar e ka kryer shkollën, nuk e kanë pranuar as në polici e as në FSK”, potencon Hajrizaj.

Lidhur me trajnimin e mbajtur sot, në të cilin u diskutua për keqinformimin, dezinformimin dhe dinamikën e medias, Hajziraj thekson se tani e tutje do të ketë mendim kritik rreth shkrimeve në media.

Për diskriminim të komuniteteve në aspekte të ndryshme, e thotë edhe nxënësi në klasën e 10-të, Liridon Ajetaj, i cili ka zgjedhur të bëhet metalpunues. Ai potencon një rast kur një shok i tij nga komuniteti egjiptian me rezultate të shkëlqyera, është lënë anash në shkollë, me t’u kuptuar se është pjesë e komunitetit jo shumicë.

Ajetaj shpreson që në të ardhmen t’i jepet mundësia të punojë si metalpunues apo moler, dhe mos të ketë diskriminim vetëm pse i takon pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë.

Ajetaj: Shpresoj të punoj me profesionin tim, ani pse jam egjiptian

“Në të ardhmen mendoj të punoj në këtë drejtim që e kam zgjedhur ose moler…A mendoni që do të keni vështirësi për gjetjen e një vendi pune? Besoj që po, sepse sot ka shumë racistë…Në të ardhmen dua ta ndjek profesionin që kam tash dhe shpresoj që mos të kem problem për ta gjetur vendin e punës, të mos na diskriminojnë që jemi një komunitet egjiptian…Sot kemi kaluar shumë mirë, kemi mësuar për lajmet e rreme. Kemi mësuar që nuk duhet t’i besojmë shumë mediave…Është shumë më mirë për ne që të ketë trajnime sikur ky edhe herëve tjera…Një shok është në shkollën ekonomike në Pejë. Aty nuk e kanë ditur që është i komunitetit egjiptian. Ai më të vërtetë ka qenë një nxënës shumë i mirë dhe e kanë marrë në pyetje dhe janë marrë me të, por kur e kanë kuptuar që bën pjesë në komunitetin egjiptian, nuk janë marrë shumë me të, e kanë lënë anash”, thotë Ajetaj.

Ndër të tjera, Ajetaj thekson faktin se duhet pasur sa më shpesh trajnime me tematika të tilla.

Trajnime të tilla si ky i sotmi janë të nevojshme për t’u ndjekur nga të rinjtë e komuniteteve jo-shumicë e thotë edhe nxënësja në klasën e 12-të, Blerta Qekollaj. Ajo thekson se pjesa ku është diskutuar për lajmet e rreme i ka bërë më shumë përshtypje.

Qekollaj: Mësova që në media mund të ketë informacione të pa sakta

“Prej këtij trajnimi më ka lënë përshtypje shumë që kemi folur për mediat që mund të kenë informacione të pasakta…A keni dëshirë të keni me shpesh këso lloj trajnimesh? Po kam dëshirë të di çka është e vërtetë e çka nuk është. Kam dëshirë t’i di të gjitha gjërat”, thotë Qekollaj.

Po ashtu, edhe Abedin Bujupaj, profesor i elektroteknikës dhe njëherësh zyrtar i qendrës për karrierë në SHMPL “Mithat Frashëri” në Istog, thotë se edukimi mediatik është më se i nevojshëm, derisa shton se nxënësit kanë shumë nevojë për kësi lloj trajnimesh.

Përveç kësaj, Bujupaj thotë se nevojitet përkrahje dhe gjithëpërfshirje të komuniteteve jo shumicë, si në shkolla, ashtu edhe në punësim.

Bujupaj: Të përkrahet komuniteti në shkollim e punësim

“Edukimi mediatik është shumë i nevojshëm sidomos në ditët e sotme kur ka lajme jo të sakta. Jam shumë i gëzuar që jam pjesë e këtij trajnimi bashkë me nxënësit…Pjesa e punës ne grupe që shkëmbejnë informacione të ndryshme me njëri-tjetrin është e mirë për nxënësit tanë…Nxënësit kanë shumë nevojë për këto lloj trajnime, janë të përkrahur edhe brenda shkolla, mbajmë sesione të ndryshme… Është mirë që komuniteti të ketë gjithëpërfshirje edhe në punësim edhe ne shkollim, kudo qoftë, por sidomos në punësim është mirë të mos bëhen dallime”, thekson Bujupaj.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat