​Komuna e Obiliqit dhe USAID mbajnë takim për themelimin e Këshillit Publiko-Privat

Kosova

​Komuna e Obiliqit dhe USAID mbajnë takim për themelimin e Këshillit Publiko-Privat

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 16:01
Foto ilustrim

Komuna e Obiliqit në bashkëpunim me organizatën USAID, kanë ftuar në takim konsultativ sektorin privat për të diskutuar lidhur me themelimin e Këshillit Publiko-Privat, i cili parashihet të përmirësojë kornizën ligjore në fushën e së drejtës së pronës për të nxitur investimet në këtë komunë.

Themelimi i Këshillit Publiko-Privat ka për qëllim të lehtësojë dialogun në konsultim për rregulloret komunale të cilat ndikojnë në të bërit biznes, buxhetin komunal, planin e prokurimit, dokumente strategjike komunale dhe dokumente e çështje të tjera që propozohen nga komuna dhe sektori privat.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi u shpreh i nderuar për inicimin e themelimit të këtij këshilli, të cilin e vlerëson si shumë të rëndësishëm për dialogun privat në nivel lokal.

Gashi potencoi se për dy vite rresht përmes vendimeve të kuvendit komunal, janë liruar nga taksat komunale të gjitha bizneset.

Ai theksoi se kanë marrë vendim pro faljes së tatimit në pronë në vlerën prej 100 eurove për qytetarët.

Gashi: I nderuar për inicimin e themelimit të Këshillit Publiko-Privat

Jam jashtëzakonisht i nderuar që sot në emër të institucionit komunal po iniciojmë themelimin e një mekanizmi shumë të rëndësishëm për dialogun publiko-privat në nivel lokal. Këtë traditë e patëm filluar edhe para disa viteve, por fatkeqësisht për shkak të Covidit që ndodhi në glob por njëjtë ka pasur impakt edhe në komunën tonë. I kanë ndërprerë këto mundësi që të vazhdojmë më tutje. Por, fatmirësisht bashkërisht ia kemi dalë që sado pak ta zbusim problemin ekonomik në situata e asaj kohe...Për dy vite rresht përmes vendimeve të kuvendit komunal kemi liruar nga taksat komunale të gjitha bizneset. Këtë vit kemi marrë vendim të falim deri në 100 euro në tatimin në pronë, kemi hartuar rregulloren komunale për lehtësirat e bizneseve”, tha Gashi.

Kryetari i Obiliqt, Xhafer Gashi theksoi se falë punës së kryer është arritur që shpenzimet në total për këtë komunë të jenë mbi 90 për qind, për çka shtoi se investimet kapitale kalojnë mbi 94 për qind.

Ai shtoi se themelimi i Këshillit Publiko-Privat do të përfshijë të gjitha bizneset, duke përfshirë ato të vogla, të mesme dhe të mëdha.

Tutje, Gashi potencoi se faza e parë e projektit për zgjerimin e nxemjes qendrore po shkon në hapa mirë.

Gashi: Projekti për zgjerimin e nxemjes qendrore po shkon jashtëzakonisht mirë

“Falë angazhimit të ekzekutivit, gjithashtu edhe punë kryerësve në komunën tonë, kemi arritur që shpenzimet në total të jenë mbi 90 për qind e fatmirësisht te investimet kapitale e kalojnë 94.93 për qind, ndërsa të hyrat vetanake janë analizuar 93.5 për qind ...Themelimi i Këshillit Publik-Privat që do të përbëhet edhe nga ekzekutivi edhe nga bizneset, duke i përfshirë të gjitha bizneset, edhe bizneset e mëdha dhe të mesme dhe të vogla. Zona industriale në komunën tonë tanimë veç ka filluar edhe pse ka shumë mangësi për t’u përmbyllur si proces...Një ndër projektet më madhore është zgjerimi apo nxemja qendrore, një projekt që në fazën e parë realizimi i tij është duke shkuar jashtëzakonisht mirë”, theksoi Gashi.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori në Aktivitetin e USAID-it “Qeverisja e Pronës”, Ramadan Klisurica tha se ky aktivitet pesë vjeçar që synon të përmirësojë sistemin e të drejtave pronësore në Kosovë për të reduktuar korrupsionin, rritur fuqizimin e grave dhe përmirësuar të drejtat formale të pronës dhe investimet në pronën e pa luajtshme.

Klisurica shtoi se ky aktivitet synon që në partneritet me shoqërinë civile, sektorin privat dhe akterë të tjerë, të avancojë zhvillimin ekonomik dhe demokratik në Kosovë.

Klisurica: Aktiviteti ka synim formalizmin e të drejtave pronësore dhe standardizimin e shërbimeve kadastrale

"Aktiviteti jonë është aktivitet pesë vjeçar, ka synim formalizimin e të drejtave pronësore, standardizimin e shërbimeve kadastrale dhe shërbimeve të tjera pronësore që ofrohen në komuna në Kosovë... Komuna e Obiliqit është një nga komunat e reja partnere që i kemi në aktivitet...Ne synojmë edhe rritjen e angazhimit të sektorit privat në procese që ndërlidhen me qeverisjen e pronës dhe angazhohemi për rritjen e angazhimit të shoqërisë civile, qytetarëve...Këndvështrimi jonë në këtë segment ndërlidhet me themelim të një dialogu të drejtpërdrejtë të kryetarit të komunës me bizneset me qëllim të diskutimit të formave të menaxhimit më të mirë me pronat në përgjithësi me theks të veçantë në çështjet që ndërlidhen me pronën komunale, menaxhimit më të mirë, avancimit të procedurave për menaxhimin më të mirë të pronës komunale , dhënies në shfrytëzim, kontrollit të mbikëqyrjes së kontratave dhe çështje të tjera", tha Klisurica.

Po ashtu, në këtë takim konsultativ, pjesë e diskutimit ishin edhe përfaqësues të shumë bizneseve private.

Përfaqësuesja e një kompanie private, Martina Dedaj-Kçira tha se nga marsi i këtij viti kanë filluar një bashkëpunim me Komunën e Obiliqit, për të ndërmjetësuar gratë që të aplikojnë në këtë kompani, për çka tha se është ndarë e kënaqur nga ky bashkëpunim.

Dedaj-Kçira theksoi se presin bashkëpunim të mëtutjeshëm me këtë komunë, për të fuqizuar këtë kompani e cila përbëhet nga mbi 97 për qind gra.

Dedaj-Kçira: Presim tutje bashkëpunim edhe më të mirë me Komunën e Obiliqit

"Kompania jonë ka 330 punëmarrës në mesin e tyre janë 97,7 gra, konsideroj që në mes të sfidave, pandemia ka kthyer shumë mbrapa edhe biznese por edhe projekte shtetërore dhe mbështetëse. Prej marsit 2023 ne kemi filluar një bashkëpunim me Komunën e Obiliqit gjegjësit me Drejtorinë për Mirëqenien Sociale dhe zyrën e punësimit që i ka ndërmjetësuar gratë që të vijnë të aplikojnë...Presim tutje bashkëpunim edhe më të mirë, duke e marrë parasysh që pronarja ime vjen prej komunitetit grua, konsiderojmë që në 2024 të bashkëpunojmë edhe më tutje me Komunën Obiliqit", potencoi Dedaj-Kçira.

Ndërkaq, rezultatet e pritura nga aktiviteti “Qeverisja e Pronës”, janë përmirësimi i kapaciteteve, proceseve dhe praktikave komunale për menaxhimin dhe regjistrimin e pronës, ofrimi i shërbimeve të unifikuara të shërbimeve të lidhura me pronën në komunat e përzgjedhura.

Rezultate tjera nga themelimi i këtij këshilli pritet që të jenë përmirësimi i proceseve të trashëgimisë me barazi gjinore të integruar në të gjitha reformat e të drejtave pronësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat