D4D: Më shumë se 80 për qind e burrave shpërndajnë lajme në internet me përmbajtje dezinformuese për gratë

Kosova

D4D: Më shumë se 80 për qind e burrave shpërndajnë lajme në internet me përmbajtje dezinformuese për gratë

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 17:39
Foto ilustrim

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të mërkurën se fushatat e dezinformimit posaçërisht kundër grave dhe grupeve tjera të margjinalizuara në internet, janë hapi i parë i një përpjekjeje të gjerë dhe të rrezikshme për të shpërbërë demokracinë dhe për të kufizuar të drejtat themelore të njeriut.

“Ne duhet të punojmë së bashku për të ndaluar aktorët e rrugës së keqe që kërkojnë përfitime politike duke sulmuar gratë, individët e komunitetit LGBTI, grupet e pakicave, të tjerët në politikë për lojërat e tyre politike”, tha ambasadori amerikan.

Ai i bëri këto komente gjatë konferencës me temën: “kuptimi dhe reagimi ndaj dezinformatave gjinore”, e organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik me seli në Shtetet e Bashkuara.

Sipas një studimi të zhvilluar nga organizata “Demokraci për Zhvillim”, thuhet se më shumë se 80 për qind e burrave shpërndajnë lajme në internet që kanë përmbajtje dezinformuese me bazë gjinore dhe me ngacmimet ndaj grave.“Fatkeqësisht kemi tri herë më shumë shpërndarje të dezinformatave me bazë gjinore se sa të gjitha temat tjera që ndërlidhen me platformat që i kemi online”, tha drejtoresha e “Demokraci për Zhvillim”, Rezarta Delibashzade – Krasniqi.

Sipas studimit gjuha e urrejtjes është më e shpeshtë kundër grave që janë më të përfshira në politikë. “Urrejtja në internet ndaj grave në politikë është shpesh e mirë-organizuar, gjë që tregon se kjo dhunë është sistematike dhe e paramenduar”, thuhet në hulumtim.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se institucionet janë duke punuar për të krijuar njësi të posaçme të policisë për të luftuar gjuhën e urrejtjes në internet.

“Pikërisht dhuna online duke e arsyetuar dhunën fizike, duke promovuar dezinformata, duke nxitur urrejtje pastaj po rezulton me dhunë në shtëpi, me dhunë në rrugë, me dhunë në punë. Pra, rezulton edhe me raste të vrasjeve, pra rreziku është shumë më i madh se sa disa rreshta që ne i lexojmë online”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se dezinformatat dhe gjuha e urrejtjes në internet po shpërndahet nga ata që nuk duan barazi gjinore në Kosovë.

“Rritja e përfaqësimit të grave në jetën publike, zëri i tyre, vendimmarrja e tyre i ka bërë më arrogantë ata që janë kundër integritetit në vendimmarrje. Sepse nëpërmjet integritetit të tillët nuk mund të arrijnë asgjë, nëpërmjet punës, angazhimit, nëpërmjet vendosjes së interesit publik si prioritet mbi prioritetet, nuk do të mund të arrinin asgjë, kanë arritur nëpërmjet metodave tjera prandaj edhe e luftojnë modelin e gruas në politikë”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se një nga metodat e luftimit të deziformatave në internet është përmes rritjes së dënimeve dhe një gjyqësori efektiv.

Në hulumtimin e organizatës “Demokraci për Zhvillim”, thuhet dezinformatat kanë për qëllim vënien në dyshim të vendimeve politike të grave por edhe përhapjen e urrejtjes ndaj tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat