“Zëri i Prindërve” apel institucioneve – koha e fundit për veprime konkrete të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur

Kosova

“Zëri i Prindërve” apel institucioneve – koha e fundit për veprime konkrete të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur

Nga: Fatmir Beka Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 15:00
Foto nga vendngjarja

OJQ “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë që ka pasur vet angazhim mbi dy dekada në drejtim të hulumtimit dhe zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, mbetet qendra e takimeve me familjarë dhe pasardhës të personave të pagjetur, vend ku “qahen hallet", shqetësimet, por edhe ku ndihmohet edhe hapen rrugë për ta në sfidat e jetës.

Kryetari i kësaj shoqate baca Bajram, me peshën e mbi 8 dekadave jetë, jetë të rëndë e vështirë, ende vuan dhembjen e birit të pagjetur, ndonëse në shekullin e kaluar familja e ti,j Qerkini ka pasur edhe familjarë tjerë fati i të cilëve nuk u zbardh kurrë.

Ndërsa, asistentja e kësaj shoqate, Xhyla Haziri mbetet një nikoqire e mirë, pasi me shumë kujdes mirëpret , asiston dhe ndihmon gratë dhe motrat me persona të pagjetur, duke i këshilluar, por edhe ndihmuar kohë pas kohe , me ndihma ushqimore, që vijnë nga donatorë të ndryshëm.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Familjarët e personave të pagjetur e kanë bërë traditë që së paku njëherë në javë të shkojnë në shoqatë dhe mësojnë nëse ka ndonjë risi nga angazhimi për zbardhjen e fatit, ndonjë takim, tryezë a tubim i familjarëve , por jo rrallë edhe kur kanë halle, aty gjejnë mbështetje.

Sot kur festohet Dita ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në gjithë botën edhe në vendin tonë, sa apo kush po merret me kategorinë e familjeve të personave të pagjetur të cilëve në mënyrë drastike iu shkelet e drejta për të ditur fatin e më të dashurve të cilët që nga lufta, nuk kanë një vend prehje, një vend ku mund përkujtohen a të ju vendoset në tufë lule.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

“Ne me vite po angazhohemi dhe po përpiqemi të ngremë zërin dhe mobilizojmë institucionet përgjegjëse që të jenë më aktive dhe më këmbëngulëse në ndërmarrjen e hapave konkret, përmes presionit në ndërkombëtarët dhe palën serbe, që të tregojnë ku janë të varrosur të afërmit tonë, të zbardhet fati i tyre dhe që përgjegjësit për kidnapimin, arrestimin dhe vrasjet të dalin para drejtësisë” thotë Bajram Qerkini.

Ne si shoqatë përkundër asaj se qëndrojmë afër edhe mbështesim familjarët e personave të pagjetur shpesh jemi në situatë të palakmueshme, pasi nuk kemi mekanizëm, nuk kemi mundësi që të japin lajme të reja, të i njoftojmë se po bëhet diçka në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur shprehet ai.

Rreth 1600 familje akoma vazhdojnë të jetojnë në ankth, në pritje, në dhembje dhe në mjegullën e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, ndër ta janë edhe mbi 100 raste nga komuna e Mitrovicës, që akoma mbajnë shpresën dhe presin të mësojnë fatin e personave më të dashur.

“Prandaj në këtë ditë ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, ne apelojmë dhe ju bëjmë thirrje personave përgjegjës në institucionet tona, duke nis nga presidentja, kryeministrja e deri tek zyrtarët tjerë që të shfrytëzojnë secilën mundësi në takimet me ndërkombëtarët që të kërkojnë presion nga ndërkombëtarët që pala serbe që “disponon me të dhënat për secilin person të rrëmbyer, arrestuar vrarë dhe varrosur” , të ofroj të dhëna, të shfrytëzohen xhirimet satelitore dhe njëherë e mirë të largojnë dhembjen e familjarëve duke zbardh fatin e secilit person të pagjetur”, thotë Qerkini.

 Ai shpreson që çështja e personave të pagjetur përfundimisht të gjej zgjidhje , në diskutimet dhe shqyrtimin e kësaj çështje në kuadër të dialogut që zhvillohet në Bruksel dhe që pas një çerek shekulli të mbyllen plagët e shpirtit të familjarëve të personave të pagjetur, të kenë një vend prehje dhe një vend ku mund të bëhet homazhe edhe vendose lule.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat