​Aksioni i YiHR “Gjuha e urrejtjes ta hekë copë”, kërkohet luftimi i gjuhës së urrejtjes

Kosova

​Aksioni i YiHR “Gjuha e urrejtjes ta hekë copë”, kërkohet luftimi i gjuhës së urrejtjes

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 16:22
Foto ilustrim

Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut (YiHR) ka organizuar sot një aksion rrugor “Gjuha e urrejtjes nuk është liri e shprehjes” në kuadër të 75-vjetorit të Deklaratës për të drejtat e njeriut.

Me këtë rast u ngrit edhe një mural “Gjuha e urrejtjes ta hekë copë” në shenjë simbolike kundër gjuhës së urrejtjes për të cilën u tha se po shfaqet në institucione dhe shoqëri, duke lënë pasoja te qytetarët. Këta të fundit ndërkaq u shprehën se gjuha e urrejtjes po përdoret pa arsye.

Drejtoresha e programeve të YiHR, Rina Kadiri tha se murali me mbishkrimin “Gjuha e urrejtjes ta hekë copë” është më shumë sesa një vepër arti dhe se tregon se gjuha e urrejtjes po lë shumë pasoja te qytetarët.

Kadiri: Gjuha e urrejtjes është prezente edhe në institucione

“Murali është mbi të gjitha më shumë sesa një vepër arti, do të mbesë një dokumentim i protestës dhe aktivizimit i të gjithë neve, me fokusin e gjuhës urrejtjes, por mbi të gjitha lidhur me sigurinë e grave. Murali vetë thotë që “gjuha e urrejtjes ta hekë copë”, që do të thotë se gjuha e urrejtjes e cila është prezente fatkeqësisht edhe në institucione dhe në shoqërinë tonë, janë me shumë pasoja te qytetarët, por mbi të gjitha te grupet e margjinalizuara ndaj të cilave gjuha e urrejtjes adresohet,” u shpreh ajo.

Avokati i Popullit të Kosovës Naim Qelaj tha se Kosovën, 75-vjetori i Deklaratës për të drejtat e njeriut e gjen në një situatë progresi, por jo në masat e mjaftueshme.

Duke mos dhënë shifra konkrete, Qelaj tha se këtë vit ishte numri më i madh i ankesave tek Avokati i Popullit në krahasim me vitet e kaluara, gjë e cila dëshmon se duhet bërë ende punë sa i përket përmirësimit të të drejtave të njeriut në vendin tonë.

Qelaj: Kemi numër më të madh të ankesave sesa viteve të tjera

“Ne gjatë vitit kemi pranuar një numër më të madh të ankesave sesa viteve të tjera që tregon edhe situatën dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, por edhe nevojën që kjo situatë të përmirësohet përmes punëve konkrete të autoriteteve”, tha Qelaj.

Avokati i Popullit përmendi kategoritë më të atakuara si rezultat i gjuhës së urrejtjes.

Qelaj: Cak i gjuhës së urrejtjes janë edhe gratë

“Grupi që më së shumti atakohet është komuniteti LGBTI plus, për shkak të diskursit që është përdorur edhe në seancat parlamentare, edhe nga niveli i lartë politik, ka pasur një dinamikë tjetër në ndikimin. Janë edhe komunitetet tjera, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës sidomos komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian...Cak i gjuhës së urrejtjes janë edhe vetë gratë,” tha Qelaj.

Aktivistja e të drejtave të njeriut nga Serbia Isidora Petkoviq tha se Kosova po arrin progres sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut në krahasim me Serbinë.

Petkoviq: Kosova bën një punë më të mirë sesa Serbia

“Më duhet ta them që Kosova bën një punë më të mirë sesa Serbia, në një mënyrë sepse ju keni më shumë artistë, që i jepni mundësi që ta tregojnë vetën dhe mendoj që Kosova me të vërtetë po punon në temën e gjuhës së urrejtjes. Do të dëshiroja që Serbia të shikojë më shumë se çfarë po bën Kosova, sepse është një shembull shumë i mirë,” tha Petkoviq.

Ndërsa, qytetarët shprehen të ndarë sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe shprehjes së gjuhës së urrejtjes.

Sylejman Buçaj thotë se Kosova është një popull që njihet për tolerancë dhe respekt.

Buçaj: Jemi popull që dimë të falim

“Ne si popull shquhemi për tolerancë dhe për respektimin e të drejtave të njeriut dhe çdo kujt tjetër, sepse jemi populli më i vjetër në Evropë, jemi popull i cili dimë të falim dhe të jemi mirëkuptues njëri me tjetrin, edhe përkundër asaj sepse gjithmonë kemi qenë të shtypur deri më tani ,” theksoi ai.

Ndërsa, Agim Pllana shprehet kundër gjuhës së urrejtjes, pavarësisht se ku shfaqet ajo.

Pllana: Ka urrejtje mes vete, nuk e di për çka

“Kohëve të fundit goxha shpesh, dhe po ma merr mendja që po e keqpërdorin në disa raste. Shpesh i shoh disa debate televizive, disa analistë dhe nuk më pëlqen që shumë me gjuhë të urrejtës flasin... Unë nuk po e kuptoj, ka goxha urrejtje mes vete, nuk e di për çka ,” tha Pllana.

Edhe qytetari Mirsad Krasniqi thotë se gjuha e urrejtjes përdoret vend e pa vend.

Krasniqi: Gjuha e urrejtjes përdoret vend e pa vend

“Po, mjerisht... E përdorim në vazhdimësi, vend e pa vend. Nuk e di kush është shkaktari, por është e vërtetë që po e përdorim shumë here,” tha Krasniqi.

Ndryshe, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, është miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat