​Tregtarët e automjeteve thonë se më shumë vetura shiten online sesa në treg

Kosova

​Tregtarët e automjeteve thonë se më shumë vetura shiten online sesa në treg

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 16:51
Foto ilustrim

Tregtarët në tregun e automjeteve në Prishtinë po ankohen për kushte të vështira pune. Ata po ashtu thonë ka rënë interesimi i qytetarëve për blerjen e veturave dhe se një pjesë e tyre blerjet po i kryejnë online.

Ridvan Maxhuni, tregtar i automjeteve, thotë se ka qe një muaj që ka rënë interesimi i qytetarëve për blerjen e automjeteve. Shkak për këtë ai përmend çmimet e larta dhe sipas tij më shumë ka shitje në internet sesa në treg.

Maxhuni: Më shumë shiten mes internetit se këtu

“Kohën e fundit që një muaj nuk ka shitje. Çmimet janë të larta, populli nuk ka para... Kushtet nuk janë të mira, por është e paraparë të ndërrohet lokacioni i këtij tregu. Jemi në pritje. Punojmë tërë kohën në tregje, blejmë vetura dhe shesim, por shitje nuk ka. Më shumë shiten përmes internetit se këtu,” u shpreh Maxhuni.

Edhe tregtari tjetër Hajdar Hajrizi thotë se nuk ka shitje dhe se çmimet janë ngritur shumë.

Hajrizi: Nuk ka shitje

“Jo, është ligsht. Pyesin por, me shit jo ...Po, si jo, shumë bile,” tha ai.

Edhe qytetarët thonë se ka shtrenjtime dhe se me pagat aktuale vështirë se ia dalin.

Salih Sejdaj thotë për KosovaPress, se ka dalë sot në tregun e automjeteve sa për të kaluar kohën.

Sejdaj: Çmimet janë rritur tepër

“Kemi ardhur vetëm të humbim kohë, ndoshta gjej diçka interesante... Janë rritur tepër shumë, pa kontroll. Tash nuk ka dy minuta që po shoh gështenjat tri euro e gjysmë, nuk ka kuptim ajo punë. Çmimet janë rritur tepër. Jeta është bërë mjaft e vështirë, rrogat e vogla. Edhe 600 euro me ua dhënë punëtorëve mbas Vitit të Ri nuk do të gjejnë punëtorë më. Kjo është katastrofë, se po ikin për një jetë më të mirë ,” theksoi ai.

Po ashtu Ismail Kajtazi, tha se çmimet e automjeteve janë të njëjta si në Gjermani.

Kajtazi: Kemi dalë të shikojmë tregun sa janë çmimet e veturave

“Kemi dalë të shikojmë tregun sa janë çmimet... Ky është tregu evropian, sepse edhe në Munih dal në treg shpesh, veç nuk ia lëshon rrugën. Shumë janë çmimet e njëjta sa i përket tregut... Pak janë rritur çmimet për shkak se ishte situata e luftës në Ukrainë, pastaj hekuri është shtrenjtuar pak, por çka të bësh. Vetëm sa për mbijetesë,” tha Kajtazi.

Ndryshe, tregu i automjeteve në Prishtinë mbahet çdo të diele. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat