Nura: Jemi të përjashtuar nga lista e 13 milionëshit, Skenderaj merr zero euro nga Qeveria

Kosova

Nura: Jemi të përjashtuar nga lista e 13 milionëshit, Skenderaj merr zero euro nga Qeveria

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 21:01
Fadil Nura

Kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka deklaruar se komuna e cila udhëhiqet nga ai, është përjashtuar nga lista e 13 milionë eurove të shpërndarjes buxhetore nga Qeveria e Kosovës.

I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Nura ka thënë se komuna e Skenderajt ka marrë zero euro nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

“Nga ajo që ne dimë projekte të reja është zero, dhe kjo është një shpërfaqje e një liste. Nuk kemi asnjë projekt të ri. Jemi të përjashtuar nga lista e 13 milionëshit”, thotë ai.

Nura thekson se komuna e Skenderajt nga fatkeqësitë natyrore ka pësuar humbje mbi gjashtë milionë euro.

Dhe kjo sipas tij do të duhej të ishte komunë me prioritet nga Qeveria.

“Është penalizuar taksa-paguesi, qytetari… Prioritet më të madh se një komunë që ka pasur gjendje të jashtëzakonshme nuk ka. Ne infrastrukturën politike e kemi pasur të dëmtuar diku mbi 6 milionë… dhe kjo me ligjin për fatkeqësi natyrore e obligon institucionet qendrore t’i financojë me prioritet”, tha ai.

Nura e quan një precedent të rrezikshëm përjashtimin nga lista e përkrahjes së nivelit qendror.

“Për mua çdo komunë që përkrahet është në favor të qytetarëve të këtij vendi por përjashtimi nga lista investive e përkrahjes së nivelit qendror është e para herë dhe është një precedent i rrezikshëm sepse nëse të ardhmen aplikohet kjo mendësi se cila parti politike do të menaxhojë me institucionet qendrore atëherë komunat do të vuajnë”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat