​KOMF mirëpret miratimin e Projektligjit për shërbime sociale e familjare

Kosova

​KOMF mirëpret miratimin e Projektligjit për shërbime sociale e familjare

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 15:07
Foto nga vendi i ngjarjes

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka mirëpritur miratimin e Projektligjit të ri për shërbime sociale dhe familjare në Kuvendin e Kosovës. Në konferencë për media, KOMF në emër të 35 organizatave anëtare prezantoi qëndrimin e koalicionit, derisa u tha se ky projektligj do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve.

Drejtoresha ekzekutive e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se si koalicion bashkë me organizatat anëtare të koalicionit, kanë arritur të përfshijnë në këtë ligj vizionin e organizatave për të ardhmen e shërbimeve sociale.

Kelmendi potencoi se Ligji i ri për shërbime sociale dhe familjare sjell shumë risi, duke përfshirë rritjen e gamës së shërbimeve, fuqizimin e shërbimeve të parandalimit, themelimin e shërbimeve të reja të parandalimit dhe fuqizimin e shërbimeve të mbrojtjes.

Ajo shtoi se hartimi i këtij projektligjit ishte një proces i gjatë prej pesë viteve, për çka tregoi se ishin pjesë e grupit punues dhe pjesë integrale e gjithë procesit përgjatë hartimit.

Kelmendi: Jemi shumë të lumtur që Kuvendi miratoi ligjin e ri për shërbime sociale dhe familjare

"Jemi shumë të lumtur që Kuvendi miratoi ligjin e ri për shërbime sociale dhe familjare, proces ky i pritur tashmë e sa kohë...Si koalicion bashkë me organizatat anëtare të koalicionit kemi arritur të përfshijmë në këtë ligj vizionin e organizatave për të ardhmen e shërbimeve sociale. Miratimi i këtij ligji hap zyrtarisht rrugën drejt reformës së shërbimeve sociale dhe familjare. Hartimi i projektligjit ishte një proces i gjatë prej pesë viteve ku ne ishim pjesë e grupit punues dhe pjesë integrale e gjithë procesit për gjatë hartimit...Në këtë rrugëtim si shoqëri civile ishim bashkë me institucionin e avokatit të popullit dhe ishim bashkë edhe me asociacionin e qendrave për punë sociale në Kosovë duke unifikuar qëndrimet tona dhe duke shtyrë këtë proces bashkërisht dhe me propozime të cilat i ofruam për avancimin e shërbimeve sociale në Kosovë...Ligji i ri për shërbime sociale dhe familjare sjellë shumë risi në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare. Fillimisht bën rritjen e gamës së shërbimeve duke fuqizuar shërbimet e parandalimit, themelimin e shërbimeve të reja të parandalimit, por edhe fuqizimin e shërbimeve të mbrojtjes", tha Kelmendi.

Ndër të tjera, drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, tha se ky projektligj parasheh krijimin e një skeme të hapur të ofrimit të shërbimeve sociale në mes të ofruesve publik, jo qeveritar dhe atyre privat. Ajo shtoi se me rritjen e ofrueseve të shërbimeve sociale, pritet që rritet edhe cilësia dhe konkurrenca, për çka tha s këto shkojnë në dobi të fëmijëve dhe familjeve në nevojë.

Ndërkaq, drejtoresha në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Remzije Krasniqi tha se e kanë pritur me mjaftë gëzim miratimin e këtij ligji.

Ajo shtoi se miratimi i këtij ligji paraqet moment që shënon një rrugëtim për të përmirësuar dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve sociale, por që sipas saj ndikon edhe në mirëqenien e fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve që ajane në nevojë sociale.

Krasnqi: Rrugëtim që përmirëson cilësinë e shërbimeve sociale

"Për ne si organizatë SOS fshatrat e fëmijëve e kanë pritur me mjaftë gëzim lajmin e aprovimit të Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare. Një moment që shënon një rrugëtim për të përmirësuar dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve sociale, por edhe për të ndikuar në mirëqenien e fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve që janë në nevojë sociale. Për ne sigurisht si organizatë dhe pjesë e KOMF është shumë me rëndësi që në këtë proces kemi qenë të përfshirë dhe përveç përfshirjes ka qenë edhe propozimet dhe rekomandimet e ardhura nga organizata që ofrojnë shërbime të tilla direkte 24 orëshe në forma dhe mbulueshmëri territoriale kanë qenë të pranueshme dhe janë konsideruar dhe përfshirë në këtë ligj. Kjo sigurisht që do të garantoj edhe jo vetëm ushtrimin e të drejtës së tyre për shërbime më të mirë, por do të garantojë edhe avancimin dhe mirëqenin e të gjithë fëmijëve në rrezik", theksoi Krasniqi.

Po ashtu, edhe drejtoresha në organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), Ibadete Krasniqi u shpreh e lumtur për aprovimin e Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Miratimin e këtij ligji, Krasniqi e quajti jashtëzakonisht pozitiv, për faktin se për herë të parë u aprovua forma e mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror, për strehimin familjar.

Krasniqi: Miratimi i ligjit shumë pozitiv, tani do të fillojë edhe ndryshimi

"Edhe ne si organizatë për fëmijët pa kujdes prindëror jemi jashtëzakonisht të lumtur që më në fund u aprovua ligji i shërbimeve sociale dhe familjare...Çka është jashtëzakonisht pozitive është që për herë të parë aprovohet tek forma e mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror për strehimin familjar. Për herë të parë njihet që të gjitha familjar strehuese që e ofrojnë këtë shërbim janë ofrues të shërbimeve. Është shumë pozitive, sepse tani do të fillojë edhe ndryshimi, ku do të kemi mundësi që të bëjmë edhe familje të specializuara për shkak që nevoja për vendosje të fëmijëve pa kujdes prindëror me probleme të shumta të bëhet edhe karshi specializimit të këtyre familjeve që janë të gatshme që të kujdesen 24 orë në 7 për fëmijët...Ne bashkërisht si ofrues të shërbimeve në bashkëpunim të ngushtë me nivelin lokal dhe nivelin qendror na jep sinjal që duhet patjetër që të punohet sa më shpejt në udhëzimet administrative", potencoi Krasniqi.

Ligji i ri për Shërbime Sociale dhe Familjare sjell disa risi të cilat përfshijnë:

Rritjen e gamës së shërbimeve, themelimin e shërbimeve të reja duke përcaktuar shërbimet e parandalimit, mbrojtjes, rehabilitimit dhe re-integrimit, si dhe duke i klasifikuar shërbimet në tri kategori primare, sekondare dhe terciare, duke garantuar kështu të drejtën në shërbime sociale për të gjithë fëmijët dhe personat në nevojë për shërbime sociale, pa marrë parasysh nivelin e urgjencës apo rrezikshmërisë;

Krijimin e një skeme të hapur të ofrimit të shërbimeve sociale në mes të sektorit publik, jo qeveritar dhe atij privat. Skema e hapur dhe e qëndrueshme e ofrimit të shërbimeve sociale në mes të institucioneve publike, sektorit jo qeveritar dhe privat, ofron mundësi për gamë më të gjerë të ofrimit të shërbimeve sociale, shërbime të specializuara dhe më cilësore;

Zhvillimin dhe fuqizimin e shërbimeve në familje dhe shërbimeve me bazë në komunitet, zgjerimin e formave të mbrojtjes, konkretisht zhvillimin e strehimit familjar pas arritjes së moshës 18 vjeçare zhvillimin e formës së re të mbrojtjes “Jetesa e pavarur e mbikëqyrur”;

Ndarjen e përgjegjësive të institucioneve të nivelit qendror dhe komunal, për të shmangur paqartësitë rreth themelimit të shërbimeve sociale, menaxhimit, monitorimit dhe inspektimit;

Ndarjen e funksionit të inspektimit dhe monitorimit, fuqizimin e inspektimit përmes dhënies së kompetencave ekzekutive, përcaktimin e masave, gjobave dhe sanksioneve si dhe ofrimin e kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e funksioneve të kërkuara;

Rregullimin ekontraktimit të shërbimeve sociale dhe familjare;

Ligji i ri për shërbime sociale dhe familjare është aprovuar dje (e enjte) nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat