Mbyllet tërësisht për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit

Kosova

Mbyllet tërësisht për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit

Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 11:06
Brezovicë

Është mbyllur tërësisht për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizaj, Kanun Veseli, konfirmoi se policët janë duke orientuar komunikacionin në Brezovicë.

“Ju njoftojmë se për shkak të reshjeve të dendura të borës që ka mbuluar atë zonë, është vështirësuar qarkullimi i automjeteve, ndërsa është mbyllur tërësisht për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit, deri në pastrimin e rrugës nga kompania për pastrimin e rrugëve. Policia e stacionit të Shtërpcës dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit është në Brezovicë dhe po orienton komunikacionin”, theksoi ai.

Gjithashtu, Veseli tha se janë njoftuar nga zyrtarët e Qendrës së Skijimit se sot nuk ka kushte për skijim.

Ndryshe, Brezovica.info më herët njoftoi se bora ka arritur deri 1 metër.

“Pas reshjeve të mëdha të borës në Qendrën e Skijimit në Brezovicë është shumë keq, ka 1 metër borë, vetëm një korsi e rrugës është pastruar, parkingu është i bllokuar. Rekomandim që komuniteti i skijimit të mos vjen sot në Brezovicë”, bëhet e ditur në njoftim.

Në pamjet që janë publikuar shihet se disa vetura kanë mbetur të bllokuara.

Gjithashtu, Ekipi i Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim ka njoftuar se kanë intervenuar në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

Siç thuhet në njoftim, një person ka pësuar arrest kardiak, dhe se ata kanë ndihmuar të bëhet transporti deri të autoambulanca.

“Pas reshjeve të pa ndërprera të bores në Qendrën e Skijimit në Brezovicë është shkaktuar një ortek afër Qendrës së skijimit i cili ka bllokuar automjetet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat