Policia brenda 24 orëve shqipton mbi 2 mijë gjoba dhe konfiskon 59 patentë shoferë

Kosova

Policia brenda 24 orëve shqipton mbi 2 mijë gjoba dhe konfiskon 59 patentë shoferë

Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 18:16
Policia e Kosovës

Pas rasteve të fundit të aksidenteve me fatalitet, Policia e Kosovës është duke realizuar urdhrin operativ “Siguria në Trafikun Rrugor 2023”.

Pos kësaj Policia ka thënë se ka ndërmarrë edhe aktivitete vetëdijsuese për pjesëmarrësit në trafikun rrugor.

“Bazuar në punën dhe angazhimet tona të përditshme, dhe kompetencave ligjore që bien në fushëveprimin tonë, Policia e Kosovës në vazhdimësi përveç masave ndëshkuese të cilat i ka ndërmarr shkaku i aksidenteve dhe kundërvajtjeve në trafik, ka ndërmarr edhe aktivitete vetëdijsuese për pjesëmarrësit në trafikun rrugor”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Në njoftimin e Policisë thuhet se këto aktivitete dhe fushata vetëdijësuse bëhen për qellim vetëdijsimin e pjesëmarrësve në trafik në veçanti shoferëve në funksion të zvogëlimit edhe mëtejmë të aksidenteve në trafik dhe krijimit të një sigurie më të madhe rrugore për të gjithë.

Për të arritur objektivat e përbashkëta për një siguri të qëndrueshme rrugore dhe qarkullim pa pengesa, Policia ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht nga drejtuesit (vozitësit) e automjeteve që të shmangin veprimet të cilat ndikojnë në shpërqendrimin e tyre gjatë vozitjes, si;

– në përgjithësi vozitjen e automjetit ta përshtatin me gjendjen dhe kushtet në rrugë.​

– t’i shmangen përdorimit të telefonave mobil gjatë drejtimit të automjetit,

– të respektojnë shenjat për kufizimin e shpejtësisë

– të mbajnë distancën e duhur në mes automjeteve gjatë qarkullimit, etj.

Për rezultatet dhe masat e ndërmarra nga Policia e Kosovës në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore gjatë implementimit të urdhrit operativ “Siguria në Trafikun Rrugor 2023” në nivel vendi, për 24 orët e kaluara (20.12.2023) janë shqiptuar 2336 gjoba, janë konfiskuar 59 patentë shoferë, janë bërë 72 inspektime nga menaxhmenti policor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat