​Komuna e Rahovecit prezanton punën e vitit 2023, Latifi: Kemi shpenzuar 99.56 të buxhetit

Kosova

​Komuna e Rahovecit prezanton punën e vitit 2023, Latifi: Kemi shpenzuar 99.56 të buxhetit

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 14:19
Smajl Latifi

Shpenzimi i buxhetit gati 100 për qind, miratimi i Planit Zhvillimor Komunal 2023-2031, fillimi i ndërtimit të sheshit qendror, shtëpive për të moshuar, ndërtimi dhe rregullimi i shtretërve të përrenjve dhe lumenjve problematik, po konsiderohen ndër sukseset më të mëdha të arritura në Komunën e Rahovecit gjatë këtij viti.

Kështu tha kryetari i Komunë së Rahovecit, Smajl Latifi në një konferencë për media në të cilën prezantoi punën njëvjeçare, arritjet dhe sfidat e kësaj komune.

Latifi tha se gjatë këtij viti, Komuna e Rahovecit ka treguar performancë të lartë, derisa konsideroi si arritje të lartë shpenzimin e buxhetit komunal 99.56 për qind, duke mos përfshirë buxhetin për paga të këtij muaji.

Ai cilësoi si lajm të mirë faktin që Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka dalur me opinion të pa modifikuar për këtë komunë, për çka tha se komuna udhëhiqet në bazë të ligjit dhe në mënyrë demokratike.

Latifi: Arritje e lartë, 99. 56 për qind veç e kemi shpenzuar buxhetin

"Komuna e Rahovecit gjatë këtij viti ka treguar performancë të lartë dhe pritet që të jemi të parët në performancë edhe në grandin e performancës. Është lajm i mirë edhe që është miratuar edhe plani i ri zhvillimor Komunal 2023-2031. Po ashtu në transparencë buxhetore, kemi dëshmuar, jemi të parët. Në realizmin e buxhetit për vitin 2023, buxhetit të planifikuar për ta shpenzuar në këtë vit, po ashtu është një arritje e lartë, sepse në 99. 56 për qind veç e kemi shpenzuar buxhetin, pa e përfshirë buxhetin për paga...Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka dalë me opinion të pamodifikuar që është lajm i mirë për qytetarët e Rahovecit, se në Rahovec udhëhiqet në bazë të ligjit, në mënyrë demokratike dhe po thuajse të gjitha veprimet e administratë komunale të Komunë së Rahovecit janë në përputhshmëri të plotë më ligjin", tha Latifi.

Derisa foli për punën një vjeçare, Latifi tha se kanë filluar me ndërtimin e projektit kompleks dhe shumë funksional, e që është Qendrës për Kulturë, Arte, Rini dhe Inovacion.

Projekt tjetër të rëndësishëm, Latifi potencoi ndërtimin e banesave për të moshuar.

Ai potencoi se ndërtimi i sheshit qendror është ndër projektet më komplekse dhe të rëndësishme në historinë e urbanizmit në komunën e Rahovecit.

Latifi: Ndërtimi i sheshit qendror, projekti më kompleks në historinë e urbanizmit

"Ne kemi nisur një projekt 'Qendra për Kulturë, Arte, Rini dhe Inovacion', një projekt i madh, kompleks, shumë funksional, ka filluar ndërtimi i kësaj qendre...Ka filluar edhe ndërtimi edhe i banesave për pleq që është një projekt i pastër humanitar, që jemi mirënjohës fondacionit 'Adrian Orllati". Në drejtorinë e Administratës e kemi funksionalizuar një premtim, e kemi përmbushur, është funksionalizuar qendra 'One stop shop', që ofron shërbime administrative nga një vend. Kemi vendosur edhe dy kioske në Rahovec dhe një në Ratkoc, me qëllim të shërbimit të ofrimeve më efikase dhe që këto shërbime të jenë më afër qytetarëve. Në drejtorinë për urbanizëm, planifikim dhe mbrojtje të mjedisit, ju e dini që këtë vit ka filluar ndërtimi i sheshit qendror, një projekt i rëndësishëm, projekti ndoshta më kompleks dhe më i rëndësishëm në historinë e urbanizimit në Rahovec...Kemi vazhduar me ndërtimin dhe rregullimin e shtretërve dhe përrenjve dhe lumenjve problematik dhe këtë vit, kemi pasur shumë pak probleme me vërshimet dhe përmbytjet...Në Drejtorinë për Kulturë dhe Rini dhe Sport, ka përfunduar ndërtimi i Muzeut 'Ukshin Hoti', pra fazës së dytë dhe përfundimtare të kompleksit muzeor në Krushë të Madhe", theksoi Latifi.

Përveç këtyre, gjatë konferencës Latifi tha se në Drejtorinë për Shëndetësi ka pasur renovime të brendshme dhe të jashtme. Ai shtoi këtë vit kanë fituar dy grandenga Drejtoria për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale, si shkas i ofrimeve falas për qytetarët e moshuar, fëmijët nga zero deri në tre vjeç, gratë shtatzëna dhe personave të tjerë në nevojë.

Po ashtu, kryetari i kësaj komune tha se po vazhdojnë punët në ndërtimin, përgatitjen, aftësimin dhe funksionalizimin e parkut industrial mbi Opterushë, për çka shpreson që në të ardhmen të bëhet në bashkëfinancim me Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Latifi: Në Drejtorinë për Shëndetësi ka pasur renovime të brendshme dhe të jashtme

"Në Drejtorinë për Shëndetësi ka pasur renovime të brendshme dhe të jashtme, në objektin tashmë i ri edhe pse është objekti i vjetër i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare 'Dr.Fahredin Hoti', renovimet vazhdojnë. Ne e kemi funksionalizuar edhe një qendër shëndetësore edhe në lagjen e epërme është funksionale. Të tëra këto aktivitete të tëra këto projekte janë financuar nga buxheti i Komunës së Rahovecit. Ndërkohën që po vazhdojmë edhe furnizimin me barna esenciale, ndajmë buxhet ne për barna esenciale dhe natyrisht i ndihmojmë Ministrisë së Shëndetësisë... Pikërisht për shkak të shërbimeve falas që i ofrojnë për njerëz të moshuar, për njerëz të braktisur, për njerëz të vetmuar por edhe për gratë shtatzëna, edhe fëmijët nga 0 deri 3 vjeç, të gjitha i ofrojmë falas, për këtë ne i kemi fituar dy grande nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale në këtë vit. Në Drejtorinë për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm ne jemi duke vazhduar aktivitete në ndërtimin, përgatitjen, aftësimin dhe funksionalizimin e zonës ekonomike ose parkut industrial mbi Opterushë dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm do të jemi në bashkëfinancim me Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë", tha Latifi.

Ndër të tjera, i pari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi foli edhe për sfidat me të cilat po përballen banorët e kësaj komune. Ai tha se kohëve të fundit kanë pasur vështirësi me furnizim të energjisë elektrike për shkak të mbingarkesës, për çka shtoi se si rezultat i kësaj, pasojnë problemet me mungesë të ujit të pijshëm.

Latifi shtoi se kanë vështirësi edhe me operatorë ekonomike, për çka tha se me disa prej tyre i kanë shkëputur kontratat, ndërsa më disa të tjerë po bëjnë përpjekje për rimobilizim në mënyrë që të kryhen punët sipas kontratave të tyre

Latifi: Kemi probleme me furnizim me energji elektrike për shkak të mbi ngarkesës

"Kohëve të fundit ne kemi vështirësi edhe me furnizim edhe me energji elektrike, sepse është ngarkuar situata për shkatë numrit të madh të bashkëkombësve që kanë ardhur në atdhe, edhe në komunën tonë janë shumë. Tani kemi probleme me furnizim me energji elektrike për shkak të mbi ngarkesës. Në disa vendbanime kemi edhe mungesë të ujit të pijshëm sepse është e ndërlidhur, furnizimi bëhet përmes pompave elektrike...Kemi disa vështirësi me disa operatorë nuk janë shumë, por qe po, kanë hyrë me çmime të lira në kohën e pandemisë dhe kemi pasur vonesa legjitime për shkak se çmimet janë ngritur, ndërkohë që kontratat kanë mbetur me çmime të vjetra. Disa i kemi shkëputur i kemi ndërprerë kontratat, disa jemi në përpjekje që të mobilizohen, të rimobilizohen në mënyrë që të kryhen punët sipas kontratave të tyre”, potencoi Latifi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat