​Përurohet rruga tranzit e Shtimes që lidh Lipjanin, Ferizajin dhe Prishtinën

Kosova

​Përurohet rruga tranzit e Shtimes që lidh Lipjanin, Ferizajin dhe Prishtinën

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 13:42
​Përurohet rruga tranzit e Shtimes

Komuna e Shtimes ka përuruar ndërtimin e rrugës tranzit, e cila lidh Lipjanin, Ferizajin dhe Prishtinën, si dhe do të shërbejë edhe për transporte të rënda. Projekti për ndërtimin e kësaj rruge është financuar nga ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me komunën e Shtimes që ka kushtuar mbi 1.3 milion euro.

Përfundimi i këtij projekti pritet të lehtësojë qarkullimin për qytetarët e Shtimes.

Me këtë rast, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se ky projekt do të shkarkojë trafikun e Shtimes. Ai tha se në vitin 2023 në Kosovë ka pasur punime gjithandej, dhe në dy vitet e ardhshme do të nis edhe lidhja e dy autostradave më të rëndësishme në vend.

Aliu: Në vitin 2023 është punuar në të gjithë Kosovën, rruga tranzit e Shtimes do të lehtësojë qarkullimin

"Po e ndajmë shiritin për një projekt shumë të rëndësishëm për komunat rreth e përqark, për regjionin përgjithësisht, komunën e Shtimes në veçanti. Projekt i cili është financuar dhe është kontraktuar nga ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës. Në bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe me kërkesë të komunës së Shtimes, respektivisht kryetarit Qemajl Aliu, projekt është i rëndësishëm për shkak se e shkarkon mjaftë trafikun në qytetin e Shtimes dhe krijon lidhje të mira për trafikun dhe transportin e rëndë. Projekti është 4.6 kilometra, ka pasur kosto prej 1.3 milion euro dhe është përfunduar në afat kohor ashtu siç është edhe paraparë... Gjithandej në Kosovë këtë vit ka qenë, ka pasur punishte gjithandej dhe viti 2024, 2025 të presim që te jenë dy vite të rëndësishme, fillimit të projekteve të mëtejme.....Është një lajm i rëndësishëm jo vetëm për Shtimen por për Kosovën në përgjithësi është lidhja e dy autostradave, pra autostradës Ibrahim Rugova dhe asaj Arbër Xhaferi, ndërtimi i autostradës nga qafa e Duhlës deri në Banullë e që ndërlidhet pastaj me autostradën që shkon deri në Gjilan, dhe këtë vit e kemi ndarë buxhetin dhe e kemi bërë projektin për 2024 me vazhduar nga Gjilani deri tek dheu i bardhë. Duke pasur parasysh edhe rrugën e Podujevës që është duke u zgjeruar, Kosova përmbyll vitin me sukses dhe projektet e kyçjes në koridore", tha Aliu.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se kjo rrugë ndërlidhët edhe me komunat fqinje Lipjanin, Ferizaj dhe Prishtinën.

Aliu theksoi se projekt i rëndësishëm është edhe rikthimi i autostradës Duhël, Shtime, Banullë. Sipas tij, ky projekt do t’i shtojë Shtimes pozitën gjeostrategjike.

Aliu: Rruga tranzit e Shtimes do t’u shërbejë qytetarëve të Shtimes dhe komunave përreth

"Sot është një ditë e lumtur, e gëzueshme për të gjithë qytetarët e komunës se Shtimes, sepse po përurohet një nga rrugët kryesore vitale të qytetit. Por jo vetëm qytetit të Shtimes, ky është tranziti i Shtimes që qarkullojnë makineritë e rënda dhe kjo e lehtëson qarkullimin trafikut nëpër qytet dhe liron rrugët që janë për makineritë e lehtë. Ne e kemi gjetur në një gjendje të rëndë dhe unë jam shumë i lumtur që vitin e parë kemi bërë kërkesë dhe kjo kërkesë është miratuar, dhe sot po e përurojmë pas 6 muajsh. Kjo rrugë do t’u shërbejë qytetarëve të Shtimes por edhe të gjitha bizneseve dhe qytetarëve të komunës së Suharekës, këtë rast Lipjanit, Ferizajit dhe Prishtinës që lidh kjo rrugë. .... Më në fund pas një anashkalimi disa vjeçar që i ka ndodhë Shtimes me anashkalimin e autostradës, sepse ju e dini se boshti historikisht ka qenë Shtimja që lidhë tri qendra shqiptare, Shkupin, Prishtinën dhe Tiranën. Dhe më në fund rikthimi i autostradës Duhël, Shtime, Banullë prapë ja rikthen pozitën gjeostrategjike të Shtimes dhe këtë rast një qeverisje e përgjithshme lokale dhe një autostradë ka me qenë një siguri që edhe Shtimja do të jetë një qytet i zhvilluar me prosperitet dhe sidomos të rinjtë që ka qenë plagë e jona si migrimi dhe imigrimi kanë me pas perspektivë me jetuar në vendlindjen e tyre”, theksoi Aliu

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat