Djegia e bredhit të Vitit të Ri dhe grafitet “Mos festo festat e jo myslimanëve”, arrestohen katër persona në Han të Elezit

Kosova

Djegia e bredhit të Vitit të Ri dhe grafitet “Mos festo festat e jo myslimanëve”, arrestohen katër persona në Han të Elezit

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 18:45
Djegia e bredhit të Vitit të Ri

Me datën 28.12.2023, rreth orës 02:23, policia e stacionit në Han të Elezit ka pranuar një informatë se bredhi i Vitit të Ri, i vendosur në oborrin e komunës së Hanit të Elezit ishte kapluar nga zjarri.

Patrulla e policisë kishte dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që një ekip e  zjarrfikësve kishte lokalizuar zjarrin.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe fillimisht ishte inicuar një rast për hetim “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Kurse, rreth orës 09:30 policët patrullues në Han të Elezit kanë vërejtur se në disa rrugë të qytetit në Han të Elezit ishin vendosur disa afishe me mbishkrimin ,,Viti i ri nuk është festë e jona, mos festo festat e jo myslimanëve’’ dhe për këtë policia në koordinim me prokurorin kishte nisur hetimet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

Në të dy rastet janë kyçur edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal, të cilët nën autorizim të prokurorit kanë marrë veprime shtesë të hetimeve.

“Pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, rreth orës 17:00 policia ka arritur të identifikojë,  e më pas të arrestojë katër persona të dyshuar, të cilët janë shoqëruar në stacionin e policisë”.

“Pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj,  tre persona të dyshuar janë ndaluar në mbajtje, ndërsa një person është liruar për procedurë të rregullt hetimore, me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit””, thuhet në njoftimin e Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat