Rusinovci: Viti 2023 i keq për bujqësinë, nuk u realizua prodhimi primar konform planifikimeve

Kosova

Rusinovci: Viti 2023 i keq për bujqësinë, nuk u realizua prodhimi primar konform planifikimeve

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 10:40
Imer Rusinovci

Profesori i bujqësisë Imer Rusinovci vitin 2023 e konsideron si të keq për bujqësinë.

Kjo për faktin se kushtet e pafavorshme klimatike kanë ndikuar që prodhimi primar të mos realizohet konform planifikimeve.

“Ky vit në bujqësi ka qenë ta quaj kushtimisht i keq, jo i volitshëm klimatik dhe prodhimtaria në sektorin e prodhimit primar nuk është realizuar konform planifikimeve, pra është vit i rrallë i cili është karakterizuar me prodhimtari më të ulët të grurit, misrit dhe kulturave të tjera strategjike për pasojë të ndryshimeve klimatike që patëm gjatë muajit, shkurt, mars, prill, maj dhe për pasojë prodhimet nuk u realizuan konform planifikimeve”, ka thënë profesori Rusinovci për Fo.

Por, e pranon që fermerët që kanë kultivuar perime kanë dalë ndryshe, nga ata që janë marrë me prodhimin primar siç është gruri e misri.

“Përjashto këtë me perime kulturë diçka është kostoja ndryshe për faktin se çmimet ishin mjaftë të volitshme të prodhimeve finale, qoftë të specit, domates, trangujt e të tjera por që masa dërmuese e fermerëve u zhgënjyen posaçërisht në sipërfaqet e mëdha kultivuese siç është gruri, misri e kulturat e tjera. Çmimet e perimeve ishin dukshëm më të volitshme në treg në raport me vitet e kaluara, për dallim prej fermerëve të grurit që u karakterizuan me çmime shumë të ulëta, madje edhe më të ulëta se sa viti i kaluar”, ka shtuar ai.

Profesori Rusinovci, ka folur edhe për subvencionet dhe grantet që ndahen për bujqit, e për të cilat thotë se janë të domosdoshme, por se duhet të bëhet një kategorizim i mirëfilltë i kulturave strategjike.

“Kujtoj se nuk ka nevojë që çdo kulturë bujqësore të subvencionohet e cila karakterizohet me efekt pozitiv financiar. Ideja është që të mbështeten fermerët e mëdhenj që prodhojnë produkte strategjike siç është gruri, misri do të thotë ku është ushqimi bazë për konsumatorë, qoftë për popullatë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë për kategori të caktuara të kafshëve shtëpiake sepse pa zhvillim të blegtorisë nuk mund të ketë standard popullata, qoftë për mishin, qumështin e nënproduktet e tyre, por një gjë e tillë është e pamundshme të intensifikohet nëse nuk kem prodhimtari të duhur më misrit”, është shprehur Rusinovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat