Paditet Ministria e Mjedisit për lëshimin e lejes ujore e mjedisore për “Lumbardhin 1”

Kosova

Paditet Ministria e Mjedisit për lëshimin e lejes ujore e mjedisore për “Lumbardhin 1”

Më: 4 janar 2024 Në ora: 11:13
Deçan

Organizatat për mbrojtjen e mjedisit kanë dorëzuar padi kundër Ministrisë së Mjedisit, pasi ishte zbuluar se ajo kishte pajisur fshehura “Kelkosin” me leje ujore e mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi 1” në Deçan për periudhë pesëvjeçare.

“Sot, bashkë me organizata për mbrojtjen e mjedisit ‘Gjethi’ dhe ‘EcoZ’ dorëzuam padi kundër Ministrisë së Mjedisit pasi u zbulua që fshehurazi kishin pajisur ‘Kekosin’ me leje mjedisore. Kompania ‘Kelkos’, tashmë partnere e ministrit Liburn Aliu, është përgjegjëse për degradimin e Parkut Kombëtare, Bjeshkët e Nemuna dhe Deçanit, komunë kjo që kishte pamje që të linin pa frymë ndërsa tani, ashtu siç dëshmohet në foto, ato pamje të ngjallin vetëm keqardhje. Veçanërisht shqetësues është fakti se lejet janë dhënë përmes një Udhëzimi Administrativ për të cilën pas ankesës sonë, Zyra e Kryeministrit Albin Kurti kishte dërguar udhëzime ligjore në Ministri duke kërkuar që të plotësojë atë Udhëzim Administrativ për të përfshirë pjesëmarrjen publike. Ministri Aliu ka injoruar edhe kërkesën ligjore të Kryeministrit dhe ka favorizuar kundërligjshëm kompaninë ‘Kelkos’, duke shkuar edhe një hap mëtutje se ministrat e qeverive të kaluara. Përmes kësaj padie ne kërkojmë anulimin e menjëhershëm të lejes mjedisore të lëshuar për kompaninë ‘Kelkos’, gjë që do ta shpëtonte shkatërrimin e ambientit në Deçan”, ka shkruar në Facebook Shpresa Loshaj, drejtoreshë e organizatës “Pishtarët”.

Ajo ka postuar foto të dëmeve të shkaktuara.

Ministria e Mjedisit kishte vazhduar me avazin e vjetër të licencimit të hidrocentraleve. Ani se me të ardhur në pushtet ministri Liburn Aliu pati premtuar rishqyrtim të licencave, vitin që shkoi ka lëshuar leje ujore dhe mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi 1” në Deçan për periudhë pesëvjeçare. Nga shoqëria civile kanë kritikuar për mospërfshirje të publikut në vendimmarrje.

Me ardhjen në pushtet, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, pati paralajmëruar rishqyrtim të të gjitha lejeve dhe pëlqimeve të lëshuara më parë për hidrocentralet. Por në mënyrë të heshtur në fund të vitit 2022, Ministria që ai e drejton ka lëshuar leje mjedisore për hidrocentralin e vjetër “Lumbardhi 1” në Deçan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat