“Ditët e Reçakut” do të mbahen me aktivitete të shumta

Kosova

“Ditët e Reçakut” do të mbahen me aktivitete të shumta

Më: 12 janar 2024 Në ora: 21:27
Foto ilustrim

Në 25-vjetorin e masakrës në Reçak nga forcat serbe, për tri ditë radhazi do të mbahen aktivitetet “Ditët e Reçakut”, nën përkujdesjen e kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu.

Nesër më 13 janar, në ora 18:00 do të jepet shfaqja teatrale “Shkamat” nga regjisori Fadil Hysaj, ndërsa në orën 19:00 mbahet koncert me këngë koreale nga AKV “Iliria”.

Më 14 janar, nga ora 08:00, do të organizohet ecja tradicionale nga SHBA “Guri i Shenjtë”, ku tubimi i pjesëmarrësve do të jetë afër tregut të qytetit përballë stacionit policor në Shtime. Po të njëjtën ditë, nga ora 18:00, do të mbahet Ora e Madhe Letrare në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

Aktivitetet do të vazhdojnë më 15 janar me homazhet nga ora 08:30 në Kompleksin Memorial në Reçak nga krerët e shtetit dhe akademinë përkujtimore nga ora 09:30, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, thuhet në njoftimin e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Shtimes.

Po ashtu, me rastin e 25-vjetorit të kryerjes së gjenocidit serb në Kosovë, Qendra "Gjenocidi në Kosovë - Plagë e Hapur" do të organizojë ndezjen e qirinjve nën moton “Ne nuk harrojmë - Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë”, më 15 janar para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, nga ora 19:30.

Në të njëjtën kohë organizohet ndezja e qirinjve nga qytetarët edhe në të gjitha sheshet e qyteteve tjera të vendit.

Ndryshe, më 15 janar 1999, 42 civilë të pafajshëm e të paarmatosur shqiptarë vriten e masakrohen barbarisht nga ushtria serbe në Reçak.

Ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

Tmerret në Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën dhe shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit serb Sllobodan Millosheviq, që nxiti ndërhyrjen ajrore të NATO-s ndaj forcave ushtarake e policore serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat