IKSHPK: Gripi sezonal ka kaluar pragun epidemik

Kosova

IKSHPK: Gripi sezonal ka kaluar pragun epidemik

Më: 13 janar 2024 Në ora: 11:10
Foto ilustrim

Mbi 5700 raste me gripin sezonal janë raportuar vetëm në javën e parë të janarit, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. E ky numër sipas IKSHPK-së paraqet kalimin e pragut epidemik.

“Bazuar në të dhënat nga mbikëqyrja permanente e situatës epidemiologjike përmes hulumtimit aktiv dhe pasive të institucioneve shëndetësore dhe në terren për Influenzën sezonale (ILI), për Infeksionet respiratore akute (ARI) dhe Infeksionin e rëndë respirator akut (SARI), IKSHPK bën të ditur se intensiteti i Influencës sezonale (Gripit) sipas numrit të rasteve të raportuara për javën e parë të vitit 2024 paraqitet në aktivitetin e lartë të qarkullimit, ka shënuar rritje dhe e ka kaluar pragun epidemik”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Ndërkohë, që nga 2 tetori i vitit të kaluar e deri më 7 janar janë regjistruar rreth 40 mijë raste të gripit sezonal. Përveç 40 mijë rasteve me grip, janë regjistruar edhe gati 5 mijë raste të infeksioneve respiratore akute dhe 67 raste me infeksion të rëndë respirator.

Në këtë periudhë, janë testuar 326 mostra nga pacientët, si raste të dyshimta për COVID-19. Nga to 63 kanë dalë pozitive (19.32 për qind).

Përmes këtij njoftimi, IKSHPK-ja ka treguar edhe për masat më efikase në parandalimin e gripit sezonal, e ku vaksinimi përmendet si faktori më i mirë parandalues.

Sipas IKSHPK-së tashmë janë siguruar 85 mijë doza të vaksinës dhe se ato mund të merren në çdo komunë, derisa efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes së saj.

Si masa praktike për parandalimin e përhapjes së gripit sezonal, IKSHPK-ja ka përmendur edhe maskat mbrojtëse, distancën fizike, higjienën e duarve, evitimin e kontakteve e që njerëzit e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat