“Termokosi” gjatë këtij viti do ta zgjerojë rrjetin në 129 objekte në Prishtinë

Kosova

“Termokosi” gjatë këtij viti do ta zgjerojë rrjetin në 129 objekte në Prishtinë

Më: 14 janar 2024 Në ora: 11:25
Foto ilustrim

Ngrohtorja e qytetit Termokos gjatë këtij viti do të shtijë rrjetin e furnizimit në 129 objekte.

Projekti i zgjerimit të rrjetit të ngrohtores do të realizohet me ndihmën e Komunës së Prishtinës.

Zëdhënësja e Termokos, Afërdita Uka Fejzullahu ka treguar se për cilat objekte bëhet fjalë.

“Ne kemi hartuar një projekt për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, i cili në fillim të muajit nëntor ka marrë marrë mbështetjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës për ndarjen e 5 milion eurove për realizimin e tij. Këto mjete do të investohen për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes për 129 objekte”, ka thënë ajo.

Me zgjerimin e rrjetit do të përfitojnë këto lagje.

“Me këtë projekt planifikohet të kyçen në rrjetin e ngrohjes kompleksi i “Banesave të bardha” në lagjen “Bregu i diellit”, disa ndërtesa shumëkatëshe në lagjen “Lakrishte”, disa objekte banesore në lagjen “Kalabria”, kazerma “Adem Jashari”, 3 shkolla, 3 xhami dhe objekte tjera institucionale tek pjesa e Prishtinës së vjetër etj”, ka thënë ajo.

Uka thotë se në rrjetin e ngrohjes do të kyçen rreth 2 mijë e 500 konsumatorë.

“Sipas një para llogarie me këtë projekt në rrjetin e ngrohjes do të kyçen rreth 2.500 konsumatorë të rinj me një sipërfaqe totale rreth 740 mijë m/2”, thuhet në përgjigjen e Termokos duke shtuar në fund se deri më tani janë 30 mijë konsumatorë të kyçur.

 Ngrohtorja e Obiliqit pritet të kushtojë mbi 50 milionë euro, një zonë e qytezës pritet të aktivizohet në vitin 2026

 Me ngrohtore qendrore pritet të bëhet edhe Komuna e Obiliqit.

Sipas planifikimeve që pushteti në Obiliq ka bërë, një pjesë e qytezës në vitin 2025-2026 do të aktivizohet me ngrohtoren qendrore.

Nënkryetari i Obiliqit, Ibush Mjekiqi, ka thënë që shtrirja e gypave bëhet me një gjatësi prej 56 kilometrave.

“Në fazën e parë e kemi ndërtuar objektin e kogjenerimit para dy viteve, tani jemi në proces të shtrirjes të rrjetit të gypave që përfshinë një gjatësi diku të 56 kilometrave gjatësi. Nuk ka të bëjë me Termokos, kjo është një projekt i veçantë që do të jetë vetëm për Obiliq. Ne mendojmë që në zonën e parë që nënkupton qytetin e Obiliqit, disa fshatra siç janë Mazgiti, Dradhishtë e kështu, nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, mund të ndodhin gjatë rrugëtimit të ndodhin shumë probleme ose me prokurim ose me fonde, por sipas parashikimeve për zonën e parë nxemjet duhet me qenë për vitin 2025-2026”, tha ai.

Sipas tij, në nxemjet qendrore në zonën e parë do të përfshihen rreth 8 mijë banorë.

“Qyteza e Obiliqit i ka diku 5-6 mijë banorë, plus zonat e tjera që janë përreth, vetëm se diku munden me u përfshi 7-8 mijë banorë mundem me u përfshi me nxemje qendrore në zonën e parë”, u shpreh ai.

E gjithë ky projekt madhor, Komunës së Obiliqit do t’i kushtojë mbi 50 milionë euro.

Nënkryetari Mjekiqi tha që deri tani i kanë siguruar 14 milionë euro, ndërsa vetëm për zonë të parë iu nevojiten 20 milionë euro.

“Mbi 50 milionë euro është projekti për nxemjet qendrore në krejt Obiliqin, domethënë me faza të ndryshme projekti kushton aq. Ne faktikisht deri më tani i kemi siguruar diku rreth 14 milionë. Ky projekt financohet direkt prej buxhetit tonë për investime kapitale deri më tani. Për me aktivizu zonën e parë kërkon deri në 20 milionë euro, në vitin e kaluar i kemi investu në këtë projekt 3.3 milionë euro, këtë vit i kemi ndarë 4.4 milionë dhe vazhdojmë tutje, për shkak që aq kemi mundësi”, tha Mjekiqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat