Bulliqi: Kemi shpenzuar 92% të buxhetit për investime kapitale

Kosova

Bulliqi: Kemi shpenzuar 92% të buxhetit për investime kapitale

Më: 16 janar 2024 Në ora: 06:28
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se qeverisja lokale në këtë komunë e ka përmbyllur një vit të suksesshëm, teksa për vitin 2024 ka një varg projektesh të reja.

Ai në magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK, ka thënë se kanë shpenzuar rreth 92 përqind të buxhetit prej 7 milionë euro të dedikuara për investimet kapitale. Bulliqi ka bërë të ditur se përveç buxhetit vetanak të komunës, një varg projektesh janë ndihmuar edhe nga niveli qendror.

Ne e kemi buxhetin tonë për investime kapitale 7 milionë euro dhe me atë buxhet nuk mund të kryhen të gjitha projektet. Sigurisht se gjithmonë, jo vetëm komuna e Podujevës, por edhe komunat e tjera kanë ndihmesë në realizimin e një varg të projekteve, veçmas të projekteve që kanë vlera më të mëdha”, ka thënë Bulliqi.

Ai ka thënë se në vitin 2024 parashihen edhe shumë projekte tjera, teksa përmendi ndërtimin e shkollës fillore në Shajkovc, ndërtimin e shkollës së mesme ekonomike profesionale në Podujevë, i cili është projekt mbi 2 milionë euro si dhe projekte tjera që kanë të bëjnë me zgjerimin e infrastrukturës rrugore, me zgjerimin e rrjetit të kanalizimit për ujëra të zeza, si dhe në sektorin e trotuareve dhe zgjerimit të tyre.

“Buxheti i komunës për vitin 2024 është mbi 31 milionë euro. Prej këtij buxheti mbi 8 milionë euro janë për investime kapitale, ndërsa pjesa tjetër përdoret për subvencionim dhe paga, mëditje, shërbime e mallra. Vlen të theksohet se në dy vitet e fundit janë rritur mjetet buxhetore në subvencionimin e bujqve, ku vetëm vitin e kaluar kemi ndarë mbi 12 milionë euro për bujqit”, ka thënë Bulliqi.

Ai tutje ka thënë se kur e ka marrë mandatin e ka gjetur vetëm një çerdhe publike në Podujevë, kurse aktualisht i kanë katër  çerdhe publike, derisa dy të tjera janë në proces. 

Bulliqi i ka mohuar zërat se disa komuna që qeverisen nga Vetëvendosja kanë pasur favorizim nga ana e ekzekutivit në ndarjen buxhetore. Ai ka thënë se disa komuna kanë nevojë për mjete buxhetore më të larta, derisa disa komuna kanë buxhet të mjaftueshëm dhe sipas tij fatkeqësisht nuk arrijnë ta shpenzojnë as atë buxhet.

“Prandaj nuk është logjike që një komunë që nuk arrin ta shpenzojë buxhet që ka të kërkojë ekstra buxhet nga niveli qendror, për arsye se lypset një menaxhim më i mirë i atij buxheti, në mënyrë që ajo pjesë e madhe e buxhetit të mos shkojë në suficit”, ka shtuar Bulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat