​Qytetarët ankohen për fatura të larta të energjisë, Kuvendi sot debaton për çmimet e rrymës

Kosova

​Qytetarët ankohen për fatura të larta të energjisë, Kuvendi sot debaton për çmimet e rrymës

Më: 18 janar 2024 Në ora: 08:47
Foto ilustrim

Mësohet se është një numër i madh i ankesave të qytetarëve në KESCO për faturat e larta të energjisë elektrike, ndonëse nga KESCO nuk janë përgjigjur për KosovaPress lidhur me numrin e ankesave dhe natyrën e tyre. Ndërsa, Zyra e Rregullatorit për Energji për muajin dhjetor të vitit të kaluar ka pranuar 57 ankesa.

Qytetarët janë shprehur të mllefosur për faturat e muajit të fundit 2023. Sipas tyre, të njëjtat fatura nuk kanë ardhur në mënyrë të drejtë, pasi siç thonë ata, nuk kanë konsumuar energji elektrike për shumën e faturuar.

Për këtë çështje edhe Kuvendi i Kosovës, sot (e enjte) do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme mbi çmimin e energjisë elektrike, me kërkesë të partive opozitare, të cilat kërkojnë uljen e çmimit të energjisë dhe largimin e bllok-tarifave.

Qytetarja Xhevrie Saliuka shprehet e mllefosur me shumën e lartë të faturës së rrymës për dhjetor. Ajo paralajmëron ankesë në KESCO për shkak se, siç thotë ajo, nuk ka konsumuar energji elektrike aq sa i është faturuar. Sipas saj, 100 euro shtesë që ka ndarë Qeveria ‘janë të njëjtat që duhet t'i paguajnë faturat’.

Saliuka: 146 euro fatura në dhjetor, nuk e di arsyen

“Jam me qira, muajin nëntor më ka ardhur rryma 65 euro, ndërsa muajin dhjetor më ka ardhur 146 euro. Kjo nuk është e mundshme, sepse unë jam në punë, burri në punë, nuk harxhohen të gjitha ato... Dy persona banojmë, dhe veç në mbrëmje kur vijmë...Nuk e di pse, a veç që na kanë dhënë ato 100 euro për pension dhe kanë dashtë të na marrin menjëherë në rrymë”, tregon Saliuka.

Edhe qytetari tjetër Ladi Murraj ankohet se çmimet e rrymës gjatë muajit dhjetor kanë qenë të larta. Ai teksa ishte duke pritur te KESCO, thotë se gruaja e tij kishte hyrë për të paguar dhe për të kërkuar sqarime, pasi sipas tij, çmimi është i lartë.

Murraj: 145 euro fatura e rrymës në dhjetor, në nëntor ishte 36 

“Rryma më ka ardhur 145 euro. Unë isha duke pritur te dera, ndërsa bashkëshortja ka kërkuar sqarim brenda...Ndërsa në muajin nëntor më ka ardhur 36 euro, nuk e di”, thotë Murraj.

Ankesa për çmime të larta ka edhe Nexhat Xharra, sipas të cilit rryma për muajin dhjetor ka qenë dyfish më e lartë se nëntori po ashtu i vitit të kaluar.

Xharra: Qind për qind më shumë më ka ardhur rryma në dhjetor krahasuar me nëntorin

“Më ka ardhur më shumë se vitin e kaluar, por ta shohim...Dyfish më shumë në krahasim me muajin nëntor më ka ardhur në muajin dhjetor... Qind për qind më shumë...Shteti duhet të marrë masa patjetër, duhet të shikohet çfarë është në pyetje, hajnia apo çfarë”, thotë Xharra.

Ndërkaq, nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kanë bërë të ditur se numri i ankesave për faturat e muajit dhjetor të vitit të kaluar është gjithsej 57.

Po ashtu kanë sqaruar se cilat janë procedurat dhe ankesat. Në njoftimin e ZRRE-së thuhet se konsumatorët duhet ta marrin përgjigjen nga KESCO e pastaj të drejtohen në ZRRE.

“Numri i ankesave të pranuara për faturat e muajit dhjetor 2023 është 57. Në përputhje me procedurën për zgjidhjen e ankesave në Sektorin e Energjisë, të gjithë konsumatorët, të cilët kanë ankesa në lidhje me shërbimet e ofruara nga furnizuesi apo operatorët e sistemit, fillimisht duhet t’i paraqesin këto ankesa te furnizuesi përpara se të kërkojnë shqyrtim nga Rregullatori. Çdo furnizues apo operator i sistemit është i detyruar t’u përgjigjet të gjitha ankesave të konsumatorëve, në mënyrë efikase dhe të drejtë”, thuhet në përgjigjen nga ZRRE.

Të njëjtit shtojnë se do të shqyrtojnë çdo ankesë të pranuar në përputhje me dispozitat e parapara në procedurën për çështjen e ankesave në sektorin e energjisë.

"Pas pranimit të përgjigjes nga furnizuesi, konsumatorët mund të parashtrojnë ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Rregullatorit. ZRRE-ja do të shqyrtojë çdo ankesë të pranuar në përputhje me dispozitat që parashihen në procedurën për zgjidhjen e ankesave në sektorin e energjisë. Çmimet e aplikuara janë ato të cilat janë vendosur nga Bordi i ZRRE-së”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga ZRRE.

KosovaPress lidhur me këtë çështje ka dërguar pyetje edhe te KESCO, por deri në publikimin e këtij shkrimi të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat