Dhjetë studentë ndërkombtarë, mes tyre edhe nga Serbia, nisin studimet për Drejtësi Tranzicionale në UP

Kosova

Dhjetë studentë ndërkombtarë, mes tyre edhe nga Serbia, nisin studimet për Drejtësi Tranzicionale në UP

Më: 21 janar 2024 Në ora: 23:28
Ilustrim

Një drejtim i ri i Universitetit të Prishtinës për studimet master, ka rritur interesimin e studentëve ndërkombëtarë. Kështu, këtë vit dhjetë studentë nga disa shtete të botës, u regjistruan në programin që ndërlidhet me drejtësinë tranzicionale.

Tomara dhe Wilfred janë studentët më të rinj të Universitetit të Prishtinës.

Të dy, bashkë me tetë studentë të tjerë ndërkombëtarë, e kanë përzgjedhur UP-në që t’i vijojnë studimet master, në drejtimin e ri “Të drejtat e njeriut, e drejta penale ndërkombëtare dhe drejtësia tranzicionale”.

“Pasi përfundova studimet bachelor në Gana, mentorja ime më njoftoi për këtë program. Ajo më tha që ta eksploroj si mundësi, e cila më pas e pash se është interesante. Drejtësia tranzicionale është shumë e rëndësishme, veçanërisht në rajonin tim ku vitin e kaluar kishin disa luftëra. Kështu në rajonin ku unë jetoj shumica e shteteve janë në tranzicion dhe neve do të na ndihmoj ky master që procesi i tranzicionit të zhvillohet”, ka thënë Wilfred Ofori, student nga Gana.

Wilfred Ofori nga Gana që po kalon javët e para në Prishtinë, thotë se është ambientuar shpejtë.

“Kosova dhe shqiptarët janë shumë të mirë. Ne kemi takuar shumë shokë të mirë këtu dhe jam vërtetë duke e shijuar kohën këtu”.

“Në vitet e fundit kam qenë e angazhuar në disa projekte që ndërlidhen me drejtësinë tranzicionale në rajon. Specifikisht në një OJQ në Serbi dhe kjo më ka motivuar që të mësoj më shumë për këtë fushë. Kjo është një përvojë unike për mua si një serbe që të kuptoj perspektivën se si është të jetosh në Kosovë, sepse vërtetë besoj se populli në Serbi nuk e njeh vërtetë situatën se si është”, është shprehur Tomara Pavloviç, studente nga Serbia.

Për dhjetë vende të lira sa u rezervuan këtë vit për studentët ndërkombëtarë, dekani i fakultetit juridik, Avni Puka tregon se aplikuan 23 persona.

Ai thekson se deri më tani janë kaluar të gjitha pritshmëritë.

“Në këtë program që është në gjuhën angleze, përveç profesorëve të fakultetit juridik për secilën lëndë është përfshirë një profesor ndërkombëtar nga universitetet më prestigjioze, kryesisht nga universitetet amerikane, të Britanisë dhe universitetet e Bashkimit Evropian që kanë një rangim të lartë në rangimin botëror të universiteteve”, është shprehur dekani Avni Puka.

Programi është ofruar në kuadër të një vizioni të fakultetit juridik, për adresimin e të kaluarës nga perspektiva akademike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat