Armët lehtësisht të qasshme nga të miturit, kush është fajtori kryesor?

Kosova

Armët lehtësisht të qasshme nga të miturit, kush është fajtori kryesor?

Më: 23 janar 2024 Në ora: 20:15
Foto ilustrim

Armët dhe fishekët nuk janë mjete të cilat zakonisht do duhej të gjendeshin në xhepat e qytetarëve, e sidomos te fëmijët.

Mirëpo, ato iu gjetën mbrëmë dy të miturve në Skenderaj, të cilët përfunduan në prangat e Policisë.

“Arrestimi i dy të dyshuarve të moshës së mitur është realizuar pasi tek te njëjtit gjatë kontrolleve të detajuara  u janë gjetur dhe konfiskuar: një armë pistoletë me tetë fishek dhe një thikë. Pas intrevistimit,  me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tyre është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, tha Policia e Kosovës.

Ndonëse televizioni Dukagjini është përpjekur të kontaktojë me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës për detaje të tjera për rastin, nga e njëjta pavarësisht premtimit, nuk ka pranuar përgjigje.

Përdorimi i armëve nga të miturit nuk përbën habi për ekspertin e çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

“Problemi tek ne është se jemi një shoqëri e pasluftës, kanë në posedim shumë armë ilegale në masë të pazakonshme. Shoqëria jonë përkundër legalizimit që është shpall, nuk ka arrit që ato armë t’i kthej në sistem, t’i legalizojë apo t’i dorëzoj gjatë asgjësimit. Kryesisht krimet kryhen nga armët ilegale dhe ardhja tek to është shumë e lehtë e lehtë”, tha Ibishi.

Se qasja në to nuk është e vështirë pajtohet edhe ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Vehbi Mujku.

Kur bëhet fjalë për të miturit, ai gishtin e drejtojnë te zinxhiri institucional.

“Këtu ka një çalim jashtëzakonisht të madh të politikave edhe pse legjislacioni është i kompletuar, zbatimi i tij është pothuajse i pazbatuar absolut në praktikë. As përgjegjësia nuk është e ndarë. Ende nuk dihet se kush është kompetent i plotë, a janë vetëm qendrat për shërbime sociale apo shërbimi sporvues pranë MD-së”, tha Vehbi Mujku, ish-drejtor i Qendrës për Punë Sociale.

Rastet e posedimit të armëve nga të miturit si dhe të përdorimit të tyre, nuk janë të rralla.

Gjatë vitit 2023, raste të “Mbajtjeve në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” janë regjistruar gjithsej 193.

Ndërkaq, në tërësi gjatë vitit 2023 janë regjistruar 1992 raste ku të dyshuar ishin të miturit në moshën e përgjegjësisë penale 14-18 vjeç. Në këtë numër dominojnë rastet e “lëndimit të lehtë trupor”, gjithsej 438 raste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat