Nga një muaj paraburgim ndaj dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë të dyshuar për korrupsion

Kosova

Nga një muaj paraburgim ndaj dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë të dyshuar për korrupsion

Më: 31 janar 2024 Në ora: 16:41
Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), të dyshuarve Deli Halili dhe Ismajl Ismajli, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zytar”, në kuadër të punëve në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale.

“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe dy të pandehurve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj për secilin, masa e paraburgimit është caktuar në kuptim të nenit  184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 , pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ky vendim është marrë pas mbajtjes së seancës dëgjimore ndaj dy të dyshuarve.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktim të paraburgimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se nga data 4 prill 2022 e deri më 26 janar 2024, në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Halili në pozitën e bashkëpunëtorit profesional në këtë zyrë dhe Ismajli në pozitën e referentit, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tyre zyrtar, me qëllim të përfitimi të dobisë për të dënuarit, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, duke i shkaktuar dëm sistemit gjyqësor.

Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, thuhet se dy të dyshuarit Halili dhe Ismajli në mënyrë të kundërligjshme nuk i kanë dorëzuar (kanë fshehur) urdhëresat e Gjykatës Themelore në Prishtinë për nëntë lëndë të cilat kishin për detyrë t’i ekspedonin për ekzekutim.

Me këto veprime, dy të dyshuarit thuhet se kishin mundësuar që të dënuarit t’i shmangen mbajtjes së dënimit në kohëzgjatje të ndryshme apo pagesën e sanksionit penal ose kundërvajtës.

Andaj me këto veprime, Halili dhe Ismajli po dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, pargrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Halili dhe Ismajli janë ndaluar të hënën (29 janar) nën dyshimet për korrupsion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat