“Sulm ndaj lirisë së mediave”, AGK-ja thirrje Qeverisë të tërhiqet nga projektligji për KPM-në

Kosova

“Sulm ndaj lirisë së mediave”, AGK-ja thirrje Qeverisë të tërhiqet nga projektligji për KPM-në

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 13:57
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, juristja e së Drejtës së Medias, Flutura Kusari dhe drejtori Ekzekutiv i KMShK-së, Imer Mushkolaj.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka kundërshtuar projektligjin e dorëzuar nga Qeveria e Kosovës në Kuvend, i cili synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka deklaruar se ky ndryshim ligjor shihet si një përpjekje e Qeverisë për t’i sulmuar dhe kontrolluar mediat.

Ai ka shtuar se është një përpjekje për t’i nënshtruar mediat online licencimit të veçantë, duke e shikuar si sulm ndaj lirisë së mediave.

Po ashtu, ai ka kërkuar tërheqjen e projektligjit, duke thënë se janë të hapur për dialog me Qeverinë dhe shoqërinë civile për të arritur një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palë.

“Ndryshimet të cilat janë propozuar ne i shohim si një përpjeke e re e qeverisë aktuale që të sulmojë mediat dhe si një tendencë për t’i kontrolluar ato. Sepse parashihet që pra KPM-ja t’i kontrollojë t’i monitorojë ose t’i ndëshkojë nëse ka nevojë mediat online që kanë përmbajtje të videove duke përfshirë edhe nevojën që ato të licencohen në mënyrë të veçantë dhe ne e shohim si një tjetër përpjekje dhe sulm të qeverisë ndaj lirisë së mediave, sepse konsiderojmë që vetrregullimi i tashëm duhet të vazhdojë  dhe të merret parasysh konteksti lokal i zhvillimi të mediave. Dhe një herë e ftojmë Qeverinë e Kosovës të tërhiqet nga këto ndryshme, të ftoj në dialog të gjithë akterët e interesuar mediat shoqërinë civile në mënyrë që të jenë në gjendje ta bëjnë punën e tyre pa presion politik”, ka deklaruar Rexha, raporton Dukagjini.

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka theksuar se projektligji ndryshon radikalisht rregullat e mediave online në Kosovë.

Kusari ka thënë se përmes këtij ligji Qeveria aktuale po përpiqet që t’i kontrolloj mediat.

“Projektligji për KPM-në është aprovuar në mbledhjen e Qeverisë katër ditë para vitit të ri, dhe pastaj është publikuar online në faqen e Zyrës së Kryeministrit vetëm pas kërkesës sonë që ky ligj të bëhet publik.  Për herë të parë ndryshon radikalisht mënyra e rregullimit të mediave online që publikojnë video, e ne e dimë që të gjitha gati publikojnë video. Na sistemi i vetërregullimit të cilin e kemi ne në Kosovë dhe e cila konsiderohet e suksesshme, në rregullimin shtetëror duke i detyruar ato që për herë të parë t’i nënshtrohen licencimit shtetërorë, secila media online që dëshiron të publikojë video do të duhej të aplikojë për leje te KPM-Ja nëse projektligji aprovohet”, ka deklaruar Kusari.

Ajo ka bërë thirrje për të tërhequr ligjin dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim në hartimin e një ligji që i përmbushë kërkesat e të gjitha palëve.

“Ne kërkojmë nga Zyra e Kryeministrit që ta tërheq projektligjin  nga ana e Kuvendit, jemi shumë të interesuar dhe këtë interesim e kemi shprehur para një viti e gjysmë që të bëhemi pjesë e procesit para një viti e gjysmë. Në qeveritë e kaluara ka pasur raste kur përfshirja e shoqërisë civile ka rezultuar më ligje shumë të mira. Ne jemi të hapur me bashkëpunim, me draftu një ligj të mirë që i përmbush edhe kërkesat e qeverisë dhe të sektorit të mediave”, ka thënë ajo.

“Edhe kërkojmë që KPM-së një institucion historikisht i ndikuar politikisht  me disa përjashtime të mos i zgjerohen kompetencat ata duhet të fuqizohen në mënyrë që të bëjnë punën e tyre si duhet me radio dhe  televizione ata nuk kanë mundësi ta kryejnë atë veprimtari të tyre për shkak të buxhetit e tjera, dhe vetëm kur të fuqizohet KPM-ja atëherë mund të flasim për ndonjë ndryshim eventual të sistemit të rregullimit të mediave, shpresojmë që projektligji do të tërhiqet dhe ne do ta konsideronim si mbyllje të kësaj iniciative”, ka deklaruar tutje Kusari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat