Qytetarët e Gorës kërkojnë më shumë ndihma nga Kosova

Kosova

Qytetarët e Gorës kërkojnë më shumë ndihma nga Kosova

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 21:05
Foto ilustrim

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i shoqëruar edhe nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ditë më parë ishin pjesë e aksioneve të mbylljes së komunave paralele që vepronin ilegalisht në territorin e Kosovës. E teksa kanë kaluar dy javë nga mbyllja e strukturave paralele në Dragash, kryetari i kësaj komune thotë se nuk ka telashe, duke qenë se qytetarët mund të marrin të gjitha shërbimet në komunën legjitime të Dragashit.

Mbyllja e komunës paralele në komunën Vranisht të Dragashit nuk është pritur mirë nga banorët që janë shërbyer nga këto struktura paralele, të cilat kanë ekzistuar të papenguara për rreth dy dekada. Teksa tash e sa ditë ato janë mbyllur ka disa qytetarë të cilët nuk e kanë pritur mirë këtë vendim.

Amel Bajrami nga Luboshti thekson se kanë marrë ndihmë nga Serbia.  Kurse Abdija Beqiri nga Rapqe, tha se  janë ndaluar ndihmën sociale. “Në Vranisht nuk mundemi t'i rinovojmë dokumentet”, tha ai.

Një fushatë në drejtim të qytetarëve po shihet e domosdoshme nga zyra për komunitete në Dragash.

“Është shume me rendësi qe, qytetari të ketë informacione objektive dhe të sakta. Informacione të cilët vijnë nga Kosova. Nëse qytetaret  i marrin informatat  apo lajme të cilët vijnë vetëm nga Serbia, sigurisht, ato lajme qytetari mund t’i kuptoj ndryshe, apo te kuptojë situatën në teren ndryshe nga e vërteta”, tha Uzahir Hamza, shef i zyrës për komunitete në Dragash.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës, Behxhet Xheladini, thotë se nuk ka pasur asnjë reagim të hapur për këtë çështje dhe asnjë ankesë zyrtare në komunë. 

“Nuk ka pas asnjë reagim qytetar në mënyrë të hapur dhe ka ekzistua një qetësi absolute, sa i përket mbylljes së kësaj qendre në Vraniq. Ndoshta në zemrat e tyre ka një pakënaqësi, mirëpo reagime të hapura nuk kemi parë as në rrugë, as në qytet, por edhe ankesa në komunë nuk kemi pas”, tha ai.

Komunat që shërbyen në sistemin paralel në komunën e Dragashit, u mbyllën në një aksion të Policisë së Kosovës më 26 janar ku të pranishëm ishin edhe ministrat  Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat