​"Radiot të vetmin shpëtim mund ta gjejnë përmes integrimit në rrjetet sociale"

Kosova

​"Radiot të vetmin shpëtim mund ta gjejnë përmes integrimit në rrjetet sociale"

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 13:27
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Ditën Ndërkombëtare të Radios, Instituti i Mediave në Kosovë, organizoi konferencë për media me temën “Efekti i mediave sociale në radio”.

Kryetari i Institutit të Mediave në Kosovë, Fazli Veliu tha se transformimet teknologjike dhe dinamika e re e tranzicionit kanë prekur gjithë spektrin e medies në gjithë botën, përfshirë edhe mediet lokale në Kosovë, e në veçanti radiot.

Ai shtoi se rrjetet sociale i kanë dëmtuar në masë të madhe disa radiostacione lokale, pasi që sipas tij, interesimi i kompanive për reklamim në radio është gjithnjë e më i vogël.

Veliu potencoi se radiot të vetmin shpëtim mund ta gjejnë përmes integrimit në rrjetet sociale, por që shtoi se edhe kjo formë lidhjeje, sipas tij kërkon investime në platformën e këtyre rrjeteve.

Veliu: Rrjetet sociale i kanë dëmtuar në masë të madhe disa radiostacione lokale

"Transformimi teknologjik dhe dinamika e re e tranzicionit ka prekur gjithë spektrin e radios në gjithë botën, përfshirë edhe mediat lokale në Kosovë dhe ato nacionale. Platformat e mediave sociale si Facebook, Twitter e të tjerë janë bërë mjete të rëndësishme të komunikimit për mediat e gjithë botës, duke përfshirë edhe stacionet radiofonike. Rrjetet sociale i kanë dëmtuar, mund të themi në masë të madhe disa radiostacione sidomos ato lokale në Kosovë, të cilat nuk kanë punuar shumë dhe nuk janë duke punuar shumë që të integrohen në rrjetet sociale... Radiot në Facebook është një tjetër trend që tashmë po zhvillohet në Kosovë, e ku kemi media të cilat kanë qenë me frekuenca tokësore dhe tashmë janë zëvendësuar me rrjetet sociale, sepse aty e kanë gjetur veten më mirë... Derisa po bëhesha gati për konferencë një mik më thirri në telefon dhe më tha se asgjë nuk po shkon mirë në radio, nuk ka të hyra dhe e kanë problem për të mbijetuar. Nuk dua që askush të më dëgjojë se unë po flas se situata me radio është keq dhe është e vështirë. Por, dua të them se është një sfidë e madhe për ta mbajtur sot një radiostacion në Kosovë, pasi që nuk ka më përkrahje nga shteti dhe nga donatorët të cilët dikur radiostacionet i kishin çdo herë në mbështetje", tha Veliu.

Ndërkaq, profesori universitar, Arben Fetoshi tha se për shkak të hegjemonisë së platformave digjitale, trendi e ka sfiduar radion në kuptimin e mundësive financiare për jetesë më të mirë.

Ai theksoi se radiot hasin në vështirësi për shkak se impakti i digjitalizimit është gjithëpërfshirës, për çka shtoi se radiot duhet të përshtaten për të mos dështuar.

Fetoshi potencoi se “radio duhet ta rigjejë audiencën dhe ta afektojë atë nëpërmjet magjisë së saj që është tingulli”.

Fetoshi: Radio duhet ta rigjejë audiencën dhe ta afektojë atë nëpërmjet magjisë së saj

"Natyrën ndërvepruese të radios mendoj që e vulos media sociale sot, ajo që sot i referohemi si media sociale është konfirmim i asaj që Valter Benjamin ka thënë në vitet e 30-ta për radion si media sociale... Natyrisht, që ka vështirësi për shkak se impakti i teknologjisë digjitale ka qenë gjithëpërfshirës. Pra, nuk e afekton vetëm radion në kuptim të llojeve tradicionale të medieve. Mirëpo, sistemi medial sot siç thotë Chatvigu është i hibridizuar. Pra, nuk mund të flasim për lloje të veçanta të mediave në mënyrë të pavarur. Edhe radio ashtu si çdo lloj tjetër televizioni duhet të përshtatet në këtë mjedis të ri. Është si një lloj biznesi, sepse radioja është edhe biznes. Nuk përshtatesh në rrethana të reja të tregut, dështon biznesi, nuk përshtatesh me mjedisin e ri që ka determinuar teknologjia digjitale e mbyll radion. Për shkak të hegjemonisë së platformave digjitale në të cilat sot jetojmë, mendoj që trendi e ka sfiduar në kuptimin e mundësive financiare për mbijetesë të mirë radion... Radio duhet ta rigjejë audiencën dhe ta afektojë atë nëpërmjet magjisë së saj që është tingulli... Askush nuk i drejtohet më sot radios për të marrë informacion. Pra, nëse radio konceptohet si mjet informimi, dështimi është i sigurt", potencoi Fetoshi.

Ndërkaq, Hyrë Tejeci nga Radio Kosova tha se me ndryshime të mëdha të vendit, teknologjisë, e zhvillimeve të tjera, sipas saj është imponuar edhe puna në radio.

Tejeci theksoi se teknologjia nuk ka ndikuar vetëm te radiot por ka përfshirë edhe televizionin dhe gazetat.

Ajo shtoi se çështja e transformimit në bazë të teknologjisë, është padyshim e domosdoshme edhe për radion.

Tejeci: Informacioni e merr dheun, duhet pasur kujdes se çfarë thua për publikun e gjerë

"Me ndryshime të mëdha të vendit, teknologjisë, zhvillimeve të tjera, është imponuar pa dyshim edhe puna në radio. Pa diskutim, nuk them që teknologjia ka ndikuar veç tek radiot por edhe tek televizioni, dhe gazetat, ju e shihni që nuk kemi më gazeta për të blerë... Shumë e diskutueshme është besueshmëria e atyre shkrimeve, që po doli një shkrim i shkurtër që kërkon klikim të shpejtë, ai vërshon menjëherë shumë portaleve, e dije gjenezën, burimin besueshmërinë e të tjera. Ndërkohë, që në Radio Kosovë, tek çështja e informimit ku është një përqendrimi pak më i madh i koncentrimit për të mos dhënë informacion pa e vërtetuar burimin, ajo del ndoshta që bëhemi pak më të vonë, çështja e verifikimit të informacionit, që për mua pavarësisht sa dëgjohesh e sa nuk dëgjohesh, kur ta jep informacionin e merr dheun, duhet pasur kujdes se çfarë thua për publikun e gjerë... Çështja e transformimit në bazë të teknologjisë, është padyshim e domosdoshme", tha Tejeci.

Ndërsa, gazetari Gazmend Syla derisa foli për efektet e medias sociale tha se ajo se çfarë ofron dhe përmban një radio ka shumë rëndësi nëse do të dëgjohet dhe pëlqehet nga audienca.

Ai u shpreh optimist që radioja do të ketë të ardhme, për çka përmendi podcastët si mundësi të mirë të përshtatjes së radios me digjitalizimin e medieve.

13 shkurti është shpallur Dita Ndërkombëtare e Radios, derisa UNESCO e ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si medium dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron.

Në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë.

Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon kishte thënë se radioja argëton, edukon, informon, si dhe ndihmon në popullarizimin e ndryshimeve demokratike në gjithë globin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat