Zeneli: Me TikTok synojmë audiencë të re

Kosova

Zeneli: Me TikTok synojmë audiencë të re

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 00:11
Alban Zeneli

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar sot se e ka hapur një llogari në rrjetin social TikTok.

Këtë veprim, profesori i këtij universiteti, Alban Zeneli, e vlerësoi si vendim të duhur që e ka marrë menaxhmenti i UP-së, dhe kjo duke pasur parasysh disa fakte që lidhen me mediat sociale, në kë rast TikTokun.

“Shumica e përdoruesve të Tiktokut në të gjithë botën, mbi 70% e tyre janë nga mosha 18-35 vjeçare. UP për të komunikuar me një komunitet i cili potencialisht janë studentë të UP-së dhe studentë të ardhshëm të UP-së, duhet ta targetojë audiencën si duhet”, deklaroi ai për emisionin Edicioni Special në Klan Kosova.

Fakti tjetër, sipas tij, është që në Kosovë mediat sociale përdoren katërfish më shumë se sa në Bashkimin Evropian, dhe se kjo e bën të domosdoshme prezencën e Universitetit të Prishtinës në secilën media sociale, e në këtë rast edhe në TikTok.

“Normalisht, kushdo që ka pritur se me hapjen e llogarisë, UP-ja do të shpërndajë punime shkencore, e ka pasur gabim, sepse kjo nuk është forma qysh UP i shpërndan ato punime, por është një formë e re e komunikimit me një audiencë e cila komunikon krejtësisht ndryshe. Gjeneratat e reja gjithmonë e më shumë jemi duke i parë që po komunikojnë me këtë rrjet social, pra me TikTok”.

“Qëllimi i Universitetit të Prishtinës nuk është të bëjë shkencë me këtë, por thjeshtë të komunikojë me njerëzit të cilët e përdorin këtë media sociale, që në Kosovë janë kryesisht të rinj, target i Universitetit të Prishtinës, ose studentë të ardhshëm të Universitetit të Prishtinës”, sqaroi profesori Alban Zeneli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat