​FBNSK nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Alpinizmit të Italisë (Club Alpino)

Kosova

​FBNSK nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Alpinizmit të Italisë (Club Alpino)

Më: 9 mars 2024 Në ora: 20:16
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në ambientet e Komitetit Olimpik të Kosovës (VIDEO) u mbajt sot ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës (FBNSK) dhe Federatës së Alpinizmit të Italisë (Club Alpino) (FAI).

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë nga kryetari i FBNSK-së, Arianit Nikçi dhe kryetari i FAI-it, Antonio Montani, ndërsa të pranishëm ishin edhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, një delegacion i gjerë nga FAI dhe përfaqësues nga Ambasada e Italisë në Kosovës.

Me këtë rast, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha se ky memorandum bashkëpunimi është një e arritur shumë e madhe për Federatën e Bjeshkatarisë së Kosovës, mirëpo edhe për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Krasniqi: Ky memorandum i mirëseardhur për federatën dhe gjithë Kosovën

"Është një e arritur shumë e madhe për Federatën e Bjeshkatarisë së Kosovës, mirëpo edhe për Komitetin Olimpik të Kosovës, kur e kanë një partner të tillë siç është Federata apo Klubi i Alpinizmit të Italisë me një eksperiencë jashtëzakonisht të madhe, dhe besoj që këto eksperienca që do t'i merr edhe Kosova nga federata italiane do të jetë e mirëseardhur për Kosovën dhe do të jetë ndihmë shumë e madhe për Federatën e Bjeshkatarisë së Kosovës. Kështu që edhe një herë e konfirmoj nga ana e Komitetit Olimpik të Kosovës që do të kenë përkrahjen e plotë edhe në këtë udhëtim të përbashkët që ju e keni bërë, dhe ne do të jemi pranë Federatës së Bjeshkatarisë dhe këtij memorandumi që do të jetë i mirëseardhur për federatën dhe gjithë Kosovën", Krasniqi.

Pas Krasniqit, fjalën e morri edhe presidenti i FAI-it, Antonio Montani, i cili ndër të tjera tha se përmes kësaj marrëveshje po synohet që të bëhet anëtarësimi i FBNSK-së në Federatën Evropiane të Alpinizmit.

Montani: Zotohemi që të angazhohemi për anëtarësimin në Federatën Evropiane të Alpinizmit

“Dje kemi parë, patëm rastin që t'i shohim bjeshkët e Kosovës, bjeshkë shumë të bukura, derisa flisnim për ngjitjen sportive, dhe po ashtu për skialpinizmin, dhe po ashtu me presidentin i cili mbetet dëshira e tij natyrisht që për sa i përket ngjitjes sportive, kemi nevojë për struktura ‘indoor’, pra për struktura të brendshme adekuate në mënyrë që të zhvillohet skialpinizmi. Përmes nënshkrimit të këtij protokolli të bashkëpunimit ne zotohemi që të angazhohemi për anëtarësimin e federatës në Federatën Evropiane të Alpinizmit. Me nënshkrimin e këtij protokolli mendoj që, përtej kësaj pra, që bashkëpunimi ynë të zgjerohet edhe më shumë", tha Montani.

Ndërkaq, i pari i FBNSK, Arianit Nikçi tha se kjo marrëveshje tregon besimin e kësaj federata në bashkëpunimin me federatën tonë.

Nikçi: Kjo është një besim i kësaj federate ndaj federatës sonë

"Me kryetarin Montani kemi një afërsi bukur të madhe si miqësore ashtu edhe profesionale, dhe u jemi mirënjohës për gatishmërinë e nënshkrimit të këtij memorandumi. Ky njëherit për neve nënkupton edhe si një besim i kësaj federate në bashkëpunim me federatën tonë, gjithnjë tu e pas parasysh se është një prej federatave lidere sa i përket bjeshkatarisë dhe alpinizmit, dhe jemi të lumtur që ne bashkëpunojmë. Këto janë një prej benefiteve të projektit 'Nature Kosovo' të cilat po zgjerohen çdo ditë më shumë e më shumë”, tha Nikçi.

Arritjen e marrëveshjes e përkrahën edhe përfaqësuesit nga Ambasada e Italisë në Kosovë, si dhe anëtarët e Bordit Ekzekutiv të FBNSK-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat