​Muaji i shenjtë i Ramazanit, Obiliqi shtron iftar për besimtarët myslimanë

Kosova

​Muaji i shenjtë i Ramazanit, Obiliqi shtron iftar për besimtarët myslimanë

Më: 30 mars 2024 Në ora: 20:32
Pamje nga vendi i ngjarjes

Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, Komuna e Obiliqit ka shtruar sonte një iftar për besimtarët myslimanë në sheshin e hapur të qytetit.

Kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi ka folur për KosovaPress mbi organizimin e këtij iftari në këtë muaj të bekuar, duke thënë se kjo është bërë në koordinim me Bashkësinë Islame dhe se gjithçka ka kaluar në rregull.

Gashi: Gjithçka shkoi në rregull

“Gjithçka ka qenë në rregull në nivel, ka qenë mirë që ka qenë një bashkëpunim mes tri palëve në këtë rast komunës, këshillit të bashkësisë islame në Obiliq bashkë me kryetarin Rexhep Qerkezi, pastaj kanë qenë shumë donatorë biznese që kanë ndihmuar dhe kanë qenë 1 mijë e 150 ulëse në total dhe shpresoj që të gjitha ishin të mbushura. Gjithçka shkoi në rregull meqë ishin shumë njerëz e kishim pak brengë se sa do të kanë mund t’i shërbejnë në kohë, por falë Këshillit të Bashkësisë Islame organizoi disa djem nga xhamia që ishin rreth 50, ndihmuan dhe shkoi gjithçka në rregull... Sfida e motit ndoshta ka qenë më e madhe sepse ne frikën e kemi pasur te koha. Organizimi ka zgjatur rreth një javë dhe kjo ditë është përzgjedhur qëllimisht pasi sot ka qenë ditë pushimi dhe qytetarët e kanë më të lehtë të vinë,” tha Gashi.

Kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame në Obiliq Izadin Krasniqi, ka falënderuar besimtarët myslimanë të cilët i kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre të madhe në këtë iftar të shtruar për muajin e shenjtë të Ramazanit.

Krasniqi: Iftari ishte paraparë për 1.250 persona

“Ne tash e dy javë jemi angazhuar që të përgatitemi për iftarin që tani ju e patë. Allahun e falënderojmë që na e lehtësoi dhe na mundësoi që moti të ishte i mirë, sepse kjo ishte brenga jonë kryesore. Iftari ka qenë i paraparë për 1 mijë e 250 persona dhe të gjithë erdhën. Brengë e kemi pasur se mos po vijnë më shumë meqë ishte i shtruar në shesh dhe ishte i hapur, i njoftuar me bashkëpunim me Komunën e Obiliqit dhe me përkrahjen e tyre dhe shumë qytetarë na kanë nderuar me këtë iftar me prezencën dhe ndihmën. Kaluam mirë, ia dolëm,” tha kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame në Obiliq.

Pjesëmarrësit në këtë iftar shprehën falënderime për shtrimin e iftarit nga Komuna e Obiliqit. Leoart Preniqi për KosovaPress tha se ndihet i kënaqur për organizimin e iftarit në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit.

Peniqi: Falënderoj Komunën e Obiliqit për iftarin e përbashkët

“Unë jam shumë i kënaqur me kryetarin e komunën. Ky është një organizim i pritur dhe e falënderoj shumë komunën që ia ka dhuruar Obiliqit një mundësi të ketë një iftar të përbashkët për të gjithë qytetarë,” tha Preniqi.

Edhe Jusuf Krasniqi shprehu falënderime, duke thënë se ftesa dhe pjesëmarrja e tyre në këtë iftar ishte një kënaqësi e veçantë.

Krasniqi: Jemi të kënaqur shumë me iftarin e shtruar

“Jemi të kënaqur shumë. Allahu e shpërbleftë atë që e ka ftuar të gjithë këtë popull, është kënaqësi,” tha Krasniqi.

Ramazani është muaji më i rëndësishmi për myslimanët, pasi në këtë muaj është urdhëruar agjërimi dhe filloi zbritja e Kuranit. Çdo besimtar i sinqertë e pret me gëzim këtë muaj, duke agjëruar dhe shtruar iftar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat