Hetemi: Instituti për Krime Lufte ka objektiva dhe mision të qartë, ka edhe një linjë buxhetore të veçantë

Kosova

Hetemi: Instituti për Krime Lufte ka objektiva dhe mision të qartë, ka edhe një linjë buxhetore të veçantë

Më: 6 prill 2024 Në ora: 08:47
Atdhe Hetemi

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Krime Lufte, Atdhe Hetemi, ka treguar për detyrat që i ka instituti që e drejton ai.

Hetemi ka njoftuar për hapat e mbledhjes së fakteve të dëmeve të luftës.

‘’Metodologjia për mbledhjen e të dhënave fillon me specifikimin e burimeve të tyre dhe detajimin e metodave për të mbledhur provat e nevojshme për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Kombinimi i burimeve të ndryshme do të sigurojë një bazë të qëndrueshme dhe të besueshme të të dhënave për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë’’, thotë ai.

Hetemi ka treguar se ku qëndron dallimi mes institutit të themeluar me 2011 e i cili u shua me 2018 dhe atij që udhëheq aktualisht.

‘’Diferenca kryesore midis institutit paraprak dhe IKKL lidhet me themelimin dhe mandatin. Instituti paraprak ishte themeluar me një vendim në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa IKKL është themeluar me ligj, dhe operon si agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Ka objektiva dhe mision të qartë, si dhe një linjë buxhetore të veçantë, duke gëzuar autonomi ligjore dhe financiare që e dallon nga instituti i mëparshëm’’, deklaron Hetemi.

Ai thotë se i përcjellë ndërgjegjja sa i përket mbledhjes së fakteve.

‘’Sa i përket shqetësimit për sfidat që lidhen me kohën dhe evidentimin e fakteve për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është e rëndësishme të theksojmë se ndërgjegjësimi për këtë çështje është i përhershëm. Megjithatë, një avantazh që koha ofron është distanca emocionale e krijuar pas një periudhe të gjatë, e cila mund të ndihmojë në procesin e dëshmisë dhe pranimit të fakteve të vërteta nga dëshmitarët’’, thotë Hetemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat