E verbra që kujdeset për familjen e saj në kushte të rënda ekonomike

Kosova

E verbra që kujdeset për familjen e saj në kushte të rënda ekonomike

Më: 9 prill 2024 Në ora: 11:28
Ulvije Krasniqi

Në çdo hap rreth shtëpisë kujdeset të mos rrëzohet. Tash e kohë të gjatë ajo po përballet me jetë të vështirë dhe plot sfida. Asnjëherë nuk pa vendin ku e zbardh mëngjesi e as ku kalon natën, por lutjet e saj të përditshme janë për një shtëpi. Gruaja e cila që nga lindja po jeton e verbër, pastron e gatuan, ani pse frigoriferi është bosh. Ulvije Krasniqi rrëfen mes emocionesh për jetën e vështirë, me sëmundje e kushte skajshmërisht të rënda. Të ardhurat e familjes katër-anëtarëshe janë të pamjaftueshme për të jetuar. Brenda shtëpisë nuk kanë as ujë të pijshëm, për çka e zonja e shtëpisë tregon se detyrohen edhe ditëve të ftohta të dimrit të dalin në oborr për nevoja të përditshme. Familja nga Gjilani kërkon ndihmë, sepse jeta në këtë shtëpi çdo ditë po vështirësohet.

Gruaja rreth të pesëdhjetave ka arritur të memorizojë çdo cep të shtëpisë, ani pse lindi totalisht e verbër. Katër anëtarët e familjes, Krasniqi po mbesin gjallë me pensionin e Ulvijes dhe të vjehrrit të saj, Bajramit.

Krasniqi: Është shumë vështirë t’ia dalim në këto kushte

Me të treguar të drejtën, kushtet shumë të vështira. Boll vështirë, po e shihni edhe vet, burri pa punë, vet pa punë, unë nuk mundem edhe e sëmurë prej unazave, edhe nuk shoh prej syve. E kam vjehrrin edhe ai i sëmurë është. Kështu me ia dal shumë vështirë, por çfarë të bëjmë”, rrëfen Ulvija për KosovaPress.

Përkundër dëshirës së madhe që t’ia dalë e vetme, kryefamiljarja rrëfen se ka të vështirë të lëvizë pa përcjelljen e dikujt.

Krasniqi: Burri nuk mundet me më lënë vet

Më së shumti me neve (burri), nuk mundet. Edhe ai është prej unazave, por edhe nuk mundet. Mua nuk mundet me më lënë vet, babën nuk mund ta lë vet se edhe ai është me shtypje të gjakut e me tonat...(01:10) Shtëpia është e vjetër, këtu ujë nuk kam. Kuzhinë nuk kam, këtë dhomë e kam edhe atë në dhomë, krejt është e çame. Kur të bie shi duhet të vendosim tasa, çfarë të qëllojë më afër se pikë krejt”, shton ajo mes tjerash.

Të rralla janë rastet kur dikush ju ndihmon, ani pse nevojat e tyre janë të pafundme. Nënë Ulvija lutet që një ditë ta zë gjumi pa merakun se çatia po pikon.

Krasniqi: Asgjë nuk kisha dashur më shumë se një shtëpi

“Shumë vështirë, asgjë nuk kisha dashur më shumë, të paktën një shtëpi, ta kisha pas afër kuzhinën, ujin se nuk kam këtu as ujë as asgjë hiç. Duart me i pastruar dal nga dal me shkuar atje....Gatuaj krejt, i marrë, i di vendet, i kam mësuar vendet, mi ka mësuar shoqi, i di përmendësh për shtëpinë time përmendësh i di. Shkoj i marrë, i gatuaj, bëjë gjella, ujin me të matur e kam”, flet Krasniqi për KosovaPress.

Përveç sigurimit të ushqimit, të vështirë e ka të blejë barnat.

Krasniqi: Unë me ilaçe të syve edhe unazave

“Vështirë se drejt të tregojë unë me ilaçe edhe prej syve edhe unazave. Unë vetëm me u zgjuar me i pa qeset me ilaçe edhe të vjehrrit ashtu. Po vështirë boll”, shprehet ajo.

Ulvija tregon se gjithmonë lëviz me kujdes nga frika se do të rrëzohet. Edhe vizitat te mjeku thotë se i ka të rralla për shkak të pamundësive financiare.

Krasniqi: Eci shumë ngadalë, para dy muajve jam rrëzuar

“Qysh nuk rrëzohesh, një enë këtu me marrë duhet me shkuar atje me i pastruar. Se nuk kam këtu ujë. Ujin qysh me sjell, ku me derdh. Duhesh me shkuar atje me i pastru. Qysh nuk frikësohem, po i lumi Zot më ruan, veç Zoti më ruan. Më vështirë për ujë e kam, se me pas këtu në korridor, a për ujë vështirë....Si ka as dy muaj, jam rrëzuar por çfarë të bëjë. Shkoj shumë ngadal. Kur nuk është burri këtu shkoj shumë ngadal për të larë ndonjë pjatë apo për të bërë ndonjë kafshore bukë, ai (vjehrri) kur të më thirr dhe ai nganjëherë e humb vetëdijen, e unë për të ardhur tek ai më shpejt jam rrëzuar”, tregon Krasniqi.

E lodhur nga jeta dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet, ajo thotë se nuk dëshiron më shumë se ndërtimin e një shtëpie.

Krasniqi: Në këtë gjendje lutem të mos e shoh as armikun

Më vështirë, lutem të mos e shoh as armikun. Se pa kushte, e sëmurë, më vështirë nuk po kish. Lutem të mos e shoh askënd. Çfarë të bëjë, nuk kemi çfarë të bëjmë. Nganjëherë them vetëm te Zoti e kam besimin shumë të plot, veç Zoti i kofsha falë ai e din. Me mujt dikush, një dashamirë me më dal më shumë nuk kisha dashur”, përfundon ajo.

Të gjithë vullnetmirët që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mund të lajmërohen në numrin 044 879 327 apo në numrin e redaksisë: 044 507 766.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat