​“Të merremi me shtëpinë, jo shpuzoren”, përplasen pozita dhe opozita në Kuvendin komunal të Rahovecit

Kosova

​“Të merremi me shtëpinë, jo shpuzoren”, përplasen pozita dhe opozita në Kuvendin komunal të Rahovecit

Më: 29 prill 2024 Në ora: 17:10
Kuvendi komunal i Rahovecit

Mbledhja e Kuvendit komunal të Rahovecit është shoqëruar me përplasje të shumta në mes opozitës dhe pozitës. Shkak për këtë është bërë ndërrimi i pikave të rendit të ditës. Sipas asamblistëve të opozitës, pika pyetje-përgjigje duhej të ishte pika e tretë e rendit të ditës.

Për kryetarin e Komunës, Smajl Latifi, kjo çështje nuk është dashur t’i jepej kaq rëndësi sepse sipas tij e rëndësishme është të arrihet zgjidhja dhe jo renditja. Ai këtë gjë e shtjelloi në formën e një anekdote por që nuk u prit mirë nga kundërshtarët e tij politik.

Latifi: Njërit ja kishin pas pushtu krejt shtëpinë, po këta ishin pas kap për një shpuzore

“Besoni që ekzekutivi është i përgatitur si në fillim, si me kanë e dyta si me kanë e fundit, por çështja që e shtroj para jush është. Pra nuk është shtëpia pika e diskutimit por është shpuzorja, kështu që nuk ka kurrfarë rëndësie se a është e dyta apo e fundit, tek e fundit për këtë çështje vendos kuvendi. Pra lutja ime është të merremi me shtëpinë, e jo shpuzoren”, tha kryetari Latifi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga asamblisti nga radhët e Vetëvendosjes, Defrim Kafexhiu, duke thënë se shtëpia të cilën e përmendi kryetari në anekdotë i është vënë zjarri.

Kafexhiu: Shtëpia është duke u kall, gjendja nuk është e mirë në komunën e Rahovecit

“Kryetari e tregoj një mesele por po besoj që shtëpia është duke u kall dhe po diskutojmë në çdo seancë që shtëpia është duke u kall, gjendja nuk është e mirë në komunën e Rahovecit... Mos boni hajgare me neve s’është qe ne po kapemi te shpuzorja në këtë mesele por po kapeni ju”, është shprehur Kafexhiu.

Këtij mendimit iu bashkua edhe bashkëpartiaku i Kafexhiut, Ilir Pllaqa duke shtuar se kryetari Latifi është duke folur më shumë në cilësinë e shefit të Partisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës se sa si i pari i komunës.

Pallqa: Ke fol si shef i grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e jo si kryetar

“Shefi i grupit të Aleancës ka fol shumë kështu me pompozitet, ka fol për morale qëndrueshmëri, duhet me fol edhe për punësime jo vetëm për moral. Pastaj tek anekdotat unë s’jam shumë i mirë, por kur ke pula s’ke pse zihesh me dhelpra. Ti kryetar këtu ke fol si shef i grupit të Aleancës, për këtë është dashtë të flasë grupi juaj dhe kryesuesi i kuvendit dhe jo ti kryetar”, ka shtuar Pallqa.

Por në lidhje me këtë, Hasan Perboqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mendon se këto diskutime janë të panevojshme dhe se ka një mori pikash më të rëndësishme se pika pyetje përgjigje, gjithashtu ai ka shtuar se komuna e Rahovecit është duke e bërë më të mirën për qytetarët.

Perboqi: Nuk jemi ardhë me u dorëzu dhe kemi jap më të mirën për qytetarët

“Besoj që ky diskutim këtu besoj që po ju bën me kuptu se sa mirë edhe sa shëndoshë ka mendu grupi i Aleancës.... Konsiderojmë që ka një mori pikash me rendësi më të madhe sesa pikat pytje dhe përgjigje... Ne nuk jemi ardhë me u dorëzu, ne këtu besoj që edhe e kemi dëshmu, kemi qëndru dhe kemi jap atë që kemi pas mundësi dhe kemi mundur në të mirën e qytetarëve...Është e vërtet që çdoherë kanë fol numrat derisa të është demokracia gjithmonë kanë me fol numrat por në komunë të Rahovecit ka fol edhe progresi”, tha asamblisti nga AAK, Perboqi.

Por kjo gjë është kritikuar nga Burim Krasniqi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, suksesi i një komune nuk varet nga numrat se sa i ka një parti politike, por kur suksesi kalon numrat.

Krasniqi: Kur mbërrin vetëm me rezultat të numrave nuk do të thotë sukses, suksesi është më i madh se numrat

“Nganjëherë është interesant kur dëgjon kështu kryetarin kur thot unë jam kryetari i të gjithëve dhe është e vërtetë sepse ligjërisht është i të gjithëve.....Në qoftë se mendohet se asambleja është vetëm për shkel e shko, mendoni gabim, vendos asambleja është fakt, vendosin numrat është fakt, por kur e mbërrini vetëm me rezultat të numrave nuk do të thotë sukses, suksesi është më i madh se numrat”, është shprehur Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat