Shoqëria civile për dy vjet merr 28 milionë euro nga institucionet e Kosovës

Kosova

Shoqëria civile për dy vjet merr 28 milionë euro nga institucionet e Kosovës

Më: 14 mars 2017 Në ora: 16:53
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini

Për vetëm dy vjet, Ministritë, komunat dhe agjencitë tjera publike, kanë ndarë mjete financiare në formë të subvencioneve për Organizatat Jo-Qeveritare, 27 milionë e 859 mijë e 305 euro.

Këto të dhëna janë bërë publike sot në prezantimin e raportit të parë për Financimin Publik të Organizatave të Shoqërisë Civile në Kosovë.

Vetëm në vitin 2015 tek OJQ-të janë transferuar 13 milionë e 975 mijë e 988 euro, ndërsa, në vitin 2016 janë transferuar gjithsejtë 13 milionë e 883 mijë e 316 euro. Duke krahasuar vitin 2016 me vitin 2015, ka një rritje të mbështetjes në nivel qendror për vitin 2016, ndërsa ka një rënie në nivelin komunal.

Sipas këtij raporti, numri i OJQ-ve përfituese për vitin 2015 në nivel qendror janë 745, ndërsa, për vitin 2016 711. Ndërsa, në nivel të komunave ky numër është edhe më i lartë dhe në vitin 2015 kanë pranuar fonde publike 955 OJQ, ndërsa në vitin 2016 janë 936 OQJ që janë mbështetur me fonde nga komunat.

Nga 38 komuna sa ka Kosova, 37 prej tyre kanë ofruar mbështetje financiare publike për OJQ-së. Sipas raportit, për vitin 2015 komunat kanë ndarë 7 milionë e 601 mijë e 79 euro, ndërsa në vitin 2016, 7 milionë e 2012 mijë e 827 euro, duke pësuar kështu një rënie e financimit të OJQ-ve në vitin 2016 në krahasim me vitin 2015 për 0.4 milion.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini e ka quajtur publikimin e raportin rritje e transparencës dhe llogaridhënies tek mbështetja financiare për OJQ-të. 

Hajredini: Publikimi i raportit është bërë për të rritur transparencën

“Publikimi i këtij raporti për mbështetjen financiare publike të OJQ-ve është bërë për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të Kosovës në kontekstin e mbështetjes financiare për OJQ-së. Natyrisht përgatitja e raportit është në linjë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe me strategjinë për bashkëpunim mes shoqërisë civile dhe Qeverisë, si dhe ajo që ka qenë dhe ka reflektuar në raportin e progresit të KE=së, që Qeveria dhe institucionet e Kosovës bëjnë veprime të duhura dhe publike financimin publik të OJQ-ve”, tha Hajredini.

Ai tha se të dhënat janë marr nga thesari i Kosovës nga pagesat që janë bërë brenda vitit fiskal.  

Libor Chlad, zëvendës kryesues i sektorit për bashkëpunim në zyrën e BE-së në Kosovë theksoi se BE-ja ka përkrahur shoqërinë civile në Kosovë, sepse një shoqëri civile demokratike luan rol të rëndësishëm në secilin shtet.

Chlad: Raporti, esencial për të përcaktuar bazat tona për të ardhmen

“Raporti jo vetëm ofron këto të dhëna informative që janë për neve esenciale për të përcaktuar bazat tona për të ardhmen por edhe sjellë në vete një sens të transparencës në kohën kur burimet buxhetore publike janë të rralla dhe është shumë me rëndësi që këto të përdoren në mënyrë të drejtë. Dhe mundësia për t’i parë se si janë përdorur këto mjete financiare është një shenjë e mirë”, theksoi ai.

Përfaqësuesja e shoqërisë civile, platforma CiviKos Florina Duli theksoi se analiza përveç që ndriçon deri në një masë praktikat aktuale të financimit të OJQ-ve, ajo pritet të ndihmojë që reforma e planifikuar në sektorin e kontraktimit të OJQ-ve për ofrim shërbimesh publike të implementohet sipas standardeve me të mira evropiane, duke mos u lënë hapësirë praktikave të nepotizmit dhe korrupsionit.

Duli: Raporti mund të ngris besimin e ndërsjellë mes Qeverisë dhe OJQ-ve

“Zbatimi i kësaj strategjie, përveç reformave të parapara mund të ngrisë besimin e ndërsjellë mes Qeverisë dhe OJQ-ve duke bërë raportet tona të ndërtohen mbi baza transparence dhe sinqeriteti të dyanshëm. Dhe kjo deri në një masë po mungon. Nuk po flas për zyra, por në përgjithësi Qeveria dhe raportet e shoqërisë civile janë duke vuajtur këto ditë të vuajtur. Megjithëse nuk mund të themi se ka qenë proces i mirë strukturuar përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë qenë në përgatitjen e politikave publike, kanë qenë të përfshirë në draftimin e legjislacionit, bile në të gjitha fazat e tij. Raporti tregon se OJQ-të kanë qenë të përfshira edhe në ofrimin e shërbimeve publike dhe veprimtaria e një grupi të madh të OJQ-ve të regjistruara është subvencionuar nga Qeveria megjithëse me mangësi evidente sa i përket transparencës së këtyre bashkëpunimeve”, theksoi Duli.

Udhëheqësi i ekipit të projektit të asistencës teknike të BE-së “Mbështetja për implementimin e strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile”, Igor Vidacak ka treguar përvojat e Kroacisë në publikimin e raporteve financiare të mbështetjes së OJQ-ve.

Vidacak: Kjo ndihmon në ngritjen e llogaridhënies

“Kur flasim për raportin e fondeve publike, përpos asaj që do të ndihmoj në ngritjen e llogaridhënies, transparencës dhe eficiencës, mendoj që e rëndësishme është theksojmë edhe aspektin e vlerës së shtuar për hapjen dhe shpërndarjen e të dhënave publike, posaçërisht për të dhënat publike që janë shumë të rëndësishme. Vij nga përvoja në Kroaci, ishte shumë e vështirë në vitin 2007 kur kemi nisur publikimin e të dhënave dhe ka pasur rezistencë nga shumë ministri dhe komuna sepse kur ju i publikoni ato, atëherë e ekspozoni punën e juaj se çka keni bërë dhe pastaj shihen edhe punët se si kanë shkuar dhe ku kanë shkuar fondet”, tha Vidacak.

Raporti përmban katër rekomandimet. Raporti i rekomandon Qeverisë që sa më shpejt të miratoj rregulloren për kritere, standarde dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, institucionet publike si, ministritë, komunat dhe agjencitë duhet të rrisin transparencën lidhur me mbështetjen financiare për OJQ-të, Qeveria duhet të rris kapacitetet e saj për planifikim, implementim dhe monitorim të projekteve të OJQ-ve të financuara nga fondet publike dhe qeveria të përmirësoj procesin e koordinimit të politikave me qëllim të sigurimit të një implementimi unik të legjislacionit mbi financimin publik të OJQ-ve në kuadër të institucioneve publike. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat