Fillon shitja e kurbanëve për Bajramin e Vogël

Kosova

Fillon shitja e kurbanëve për Bajramin e Vogël

Më: 31 gusht 2017 Në ora: 16:07
Shitja e kurbanëve për Bajramin e Vogël

Kurban Bajrami karakterizohet me therjen e kurbanëve. Therja e tyre bëhet fill pas faljes së namazit të Bajramit.

Shumë qytetarë të besimit islam blejnë kurbanë dhe mishin e tyre ua shpërndajnë të varfërve, obligim ky i myslimanëve.

Në qytetet e Kosovës tashmë ka filluar shitja e tyre, ndërsa një ditë para ditës së Bajramit, besimtarët veçse  kanë blerë kurbanet, të cilët do të theren nesër.

Çmimi i një deleje(kurban) sillet nga 120 deri në 140 euro.

Pensionisti, Murat Xhakja nga Fushë-Kosova, i cili ka blerë një kurban për gruan e tij ka thënë se çmimi për një kurban nuk është i shtrenjtë.

Por, Murati tha se paratë për ta blerë kurbanin duhet t’i gjejë diku pasi që me pension nuk ka mundësi ta bëjë këtë.

Xhakja: Nuk janë shtrenjtë dhe qefin do t’ia plotësoj nipit

“Ka dëgjuar nipi që prehet kurban, i ka tetë vjet edhe po ka dëshirë ky me marr për gjyshen edhe patjetër. Edhe pse nuk i kam kushtet se pensioni dihet sa është unë nuk kam çare nipit pa ia plotësuar dëshirën, pata s’pata duhet unë me marr një kurban..Po shtrenjtë nuk janë por mjerisht që standardi i kosovarëve është shumë i ulët por qefi është më i madh se Stambolli, edhe për ata që unë patjetër duhet m’i gjet edhe paret edhe nipit t’ia plotësoj dëshirën”, shtoi ai.

Edhe Xhemal Kodrolli kishte dalë për të marr një kurban. Ai tha për Kp se çmimi i kurbanit është real dhe se kurbanin që do ta blej do ta ther në thertore të licencuar.

Kodrolli: Çmimi është real

“E kemi obligim fetar çdo vit kush ka mundësi me marr...çmimi është shumë real, çmimi është i mirë nuk është i tepërm diçka, mirëpo në këto çmime edhe mu shty nuk banë, sa ta man duhet me shku real, duhet edhe ky me kanë edhe na edhe me gjet një mirëkuptim”, tha Kodrolli.

Ndërsa shitësit e kurbanëve thonë se këtë vit janë të kënaqur me interesimin e qytetarëve, por ankohen se nuk kanë çmim të siguruar, dhe nuk kanë hapësirë të veçantë për të bërë shitjen e kurbanëve.

Për çmimet e kurbanëve flet edhe shitësi nga Fushë-Kosova, Lutfi Gara thotë se këtë vit një kurban shitet nga 120 deri 140 euro, mirëpo sipas tij mungon përkrahja institucionale për këtë kategori të blegtorëve.

Gara: Çmimi i kurbaneve shkon prej 120 deri 140 euro

“Një kurban  e ki 120, 110, ki edhe 140 kush është që ka pare, mesatarja qajo është, mirë është tu shku sivjet ma mirë se çdo herë, dy- tre i ndajmë kështu për të varfër tonët i ndajmë, çka është ma kryesorja përkrahje nuk kem, në vend që me kanë çmimi i sigurum duhet me dal në rrugë këtu, në bërllok me shit...jo jo si therim në thertore i qojnë ata mi therë, dikush te shpija, dikush në thertore”, tha Gara.

Gara ka bërë të ditur se therja e kurbanëve bëhet në thertore ose aty ku dëshiron blerësi.

Në Kosovë ekzistojnë thertoret për therjen e kafshëve dhe shpezëve. Edhe kurbanët sipas zëdhënësit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës Lamir Thaçi duhet të theren në thertore dhe cdo therje jashtë tyre konsiderohet ilegale.

Thaçi: Therja e kurbanëve duhet të bëhet në thertore

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në gjithë territorin e Republikës së Kosovës ka licencuar thertore për therje të shpezëve dhe shtazëve të trasha , kjo listë është e publikuar në ueb faqen tonë dhe pothuajse çdo qytet ka nga një thertore të licencume apo është në afërsi të qytetit tjetër dhe të gjithë këta kurban duhet të theren në thertore të licencuara apo të aprovuara  nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Çdo therje jashtë thertoreve është therje ilegale, dhe therje jo e sigurt për konsum....Kemi kapacitete  të mjaftueshme për therje, janë thertore që posedojnë kushte shumë të mira , sepse janë thertore të reja dhe po ashtu këto thertore janë të licencuara nga ana jonë dhe ata posedojnë të gjitha nga një veterinerë i cili i kontrollon kafshët para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas përfundimit të therjes , dhe në këtë formë garantohet që produktet që nxirren nga këto ka fshë që theren në thertore të licencume janë të sigurta për konsum”, tha Thaçi.

Ditë më parë  Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka shfuqizuar vendimin për mbylljen e tregjeve të kafshëve në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, i cili është marrë si masë preventive për parandalimin e përhapjes së sëmundjes gungore të lëkurës tek kafshët e llojit të gjedhit.

Dita e Kurban Bajrami karakterizohet për shkuarjen në Mekë për ta kryer ritualin e Haxhit dhe prerje të kurbanit, ritual ky i cili  simbolizon devotshmërinë dhe përmbush ligjin islam për të ushqyer ata që nuk kanë asgjë për të ngrënë edhe në këtë ditë të madhërishme siç është dita e Kurban Bajramit.

Dita e Kurban Bajramit është nesër dhe falja e namazit bëhet në ora 06:37.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat