Qindra vullnetarë u bashkohen aksioneve të pastrimit në Lipjan e Prishtinë

Kosova

Qindra vullnetarë u bashkohen aksioneve të pastrimit në Lipjan e Prishtinë

Më: 28 tetor 2018 Në ora: 17:38
Foto

Qindra vullnetarë u janë bashkuar dy aksioneve të sotme të pastrimit që u realizuan në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Aksioni i parë filloi në orën 10:00 në fshatin Gadime të Komunës së Lipjanit ku u pastruan katër deponi ilegale të mbeturinave, nga të cilat u larguan rreth 400 thasë me mbeturina nga mbi 200 vullnetarë, zyrtarë qeveritarë e komunalë dhe qytetarë që iu bashkuan aksionit për pastrimin e fshatit dhe hapësirave skaj lumit.

Drejtori ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj ka thënë se fshati i Gadimes duhet të mirëmbahet, pasi është një nga imazhet më të mira që ka Kosova.

“Jemi në Gadime, në një nga lokacionet që është atraksion turistik për të gjithë Kosovën që na bën të mburremi të gjithë, por për fatin e keq jo për gjendjen e mirë sa i përket pastërtisë. Ne kemi ardhur të pastrojmë dhe të diskutojmë me përfaqësues të komunës dhe fshatit për hapat e mëtutjeshëm për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave. Vendet si Gadimja janë imazh i Kosovës, andaj imazhi i Kosovës nuk guxon të jetë imazh i papastër. Si qytetarë duhet të kujdesemi e t’i mirëmbajmë pronat publike, ashtu siç bëjmë me ato private.  Unë nga këtu dua të ftoj banorët që të na ndihmojnë neve dhe bashkërisht të angazhohemi të gjithë. E di që nuk është e lehtë, është sfidë sepse krijimi i kulturës për mirëmbajtje të pronës publike është tranzicion që kanë kaluar shumë shtete të Bashkimit Evropian ku ne synojmë të integrohemi, por është e mundur kur ne bëhemi bashkë të gjithë shoqëria civile, media dhe komuniteti, ka thënë Hasanaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti nga Gadimja u bëri thirrje qytetarëve që të rrisin vetëdijesimin e tyre për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

“Gadimja është një ndër vendbanimet më të mëdha në Lipjan dhe gjithë Kosovën, ky aksion shkon në vazhdën e aksioneve të rëndësishme për të ngritur vetëdijen e qytetarëve për me ruajt ambientin. Veprimet tona konkrete kanë qenë në krijimin e ambient më të mirë dhe të hapësirave publike për qytetarët e Gadimes, do vazhdojnë investimet në këtë fshat dhe jemi në fund të kontratës për të pajisur çdo familje me kontejner, me shporta të mbeturinave dhe pastaj do merren vendime tjera konkrete ligjore në dobi të ruajtjes së ambientit”, ka thënë Ahmeti.

Pas përfundimit të aksionit në Lipjan, dhjetëra vullnetarë vazhduan të pastrojnë te hapësirat përreth stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nga ku u larguan mbi 50 thasë me mbeturina.

Edhe aty, drejtori ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj u bëri thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm karshi mjedisit, në mënyrë që të mos ketë nevojë që e njëjta hapësira të pastrohet disa herë brenda pak muajsh.

Në aksionet e sotme ndihmoi me makineri edhe kompania NTP “Mati”.

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” aksion me makineri pati sot edhe në Gjakovë, përkatësisht në lagjen “Carrapatok”, nga ku u largua një nga deponitë më të mëdha të mbeturinave në këtë komunë.

Kështu, Let’s Do It Kosova ju njofton se çdo ditë do të vazhdojnë aktivitetet në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” e cila ka filluar më 15 shtator, ndërsa do të zgjasë deri më 15 dhjetor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat