Qytetarët e Kosovës do të kenë armët me leje

Kosova

Qytetarët e Kosovës do të kenë armët me leje

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 15:37
Ilustrim

Të gjithë ata që kanë armë pa leje, që nga 17 dhjetori do të mund t’i bëjnë legale. Ministria e Punëve të Brendshme ka vendosur që përmes një vendimi të lejojë legalizimin e tyre

Aktualisht në duart e qytetarëve të Kosovës janë rreth 200 armë pa leje.

Afati kohor për hyrjen në fuqi të këtij vendimi është 17 dhjetori dhe zgjatë 6 muaj deri më 17 qershor të vitit të ardhshëm.

Për këtë vendim që ka marr MPB-së ka folur zëvendësministri Izmi Zeka i cili për  KosovaPress  ka  thënë  se Ligji për Armët i ka obliguar të marrin një vendim të tillë.

Ai e ka konsideruar si rast të mirë që qytetarët t’i paraqesin armët e tyre.

Zeka: Ligji na ka obliguar të marrim vendim për legalizim të armëve

“Edhe ligji që është nxjerr më herët për legalizim të armëve na ka obliguar që ne të gjejmë momentin e duhur që të shpallim edhe zyrtarisht të nxjerrim një vendim i cili krijon mundësi për legalizimin e armëve për të gjithë qytetarët e Kosovës, natyrisht ata të cilët  në njëfarë mënyre mbajnë armë ilegale. Krejt një mundësi e re, krejt shtetet e kanë bërë këtë dhe këto veprime i bëjnë, edhe ne si Kosovë dhe si ministri të Brendshme kemi nxjerr një vendim natyrisht i cili është i harmonizuar edhe me ligjin për legalizim të armëve...Është një rast i mirë që qytetarët t’i paraqesin armët e tyre dhe në njëfarë forme duke iu nënshtruar procedurave të legalizojnë dhe të pajisen me dokumentet të cilat janë të bazuara pikërisht në ligjin për menaxhim të armëve”, u shpreh ai.

Zeka po ashtu pohoi se në bazë të vlerësimeve ndërkombëtare në Kosovë janë rreth 200 mijë armë ilegale, dhe sipas tij  vendimi i MPB-së do mundësonte që qytetarët t’i mbajnë në mënyrë legale ato.

Zeka:Mbi 200 mijë armë legale në Kosovë

“Krijon një mundësi të re që qytetarët të mos t’i mbajnë armët nëpër shtëpi të tyre në njëfarë forme, por t’i nënshtrohen procesit të legalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës . Ne kemi nevojë si qytetarët dhe kemi nevojë edhe si Republikë e Kosovës që të gjitha armët që në bazë të disa analizave vlerësimeve ndërkombëtare pohojnë se janë diku rreth 200 mijë armë ilegale dhe llogarisim se megjithatë me këtë hap, me këtë vendim të MPB-së do krijojmë mundësi të mirë që qytetarët t’i një procesi rregullativ dhe t’i mbajnë armët nëpër shtëpi në aspektin legal zyrtar”, tha zëvendësministri i MPB-së.

Zeka  po ashtu u shpreh se procedurat për legalizim të armëve nuk do të jenë të ngarkuara, por si MPB janë të obliguar që t’i rishikojnë armët.

Derisa theksoi se legalizimi i armëve do ofrojë siguri më të madhe për qytetarët, pasi që do të ketë zvogëlim të vrasjeve dhe problemeve tjera në vend.

Zeka  bëri thirrje që qytetarët t’i legalizojnë armët e tyre, sepse ky vendim është jetik për sigurinë nacionale dhe perspektivën e Kosovës.

Zeka: Legalizimi i armëve është jetike për sigurinë nacionale të Kosovës

“Ata të cilët kanë armë deri tash ilegale të bëjnë kërkesë t’i legalizojnë përmes institucioneve nëpër komunat e veta. Do të jenë Policia, do jenë edhe aspekte tjera të sigurisë por është jetik për perspektivën e Kosovës , kemi shtetin e Kosovës, nuk kemi nevojë me bartë një armë ilegale , kemi nevojë që çoftë edhe për armët edhe për të cilat kanë mbetur nga lufta dhe janë çështje e luftës, muzeut, edhe ato t’i nënshtrohen procedurës dhe të ketë leje siç kanë edhe armëmbajtësit tjerë. Është shumë e rëndësishme për shtetin, për perspektivën , por jo vetëm për perspektivën , për sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që periudha për legalizimin e armëve të zgjat edhe më shumë se 6 muaj.

Vendimi i Punëve të Brendshme për legalizimin e armëve po ashtu  thotë se gjatë  afatit për legalizimin dhe dorëzimin e armëve, municionit dhe mjeteve eksplozive do të pezullohet zbatimi i nenit 374 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Lidhur me këtë çështje zëvendësministri i Punëve të Brendshme, u shpreh se ky nen nuk do vlejë për  personat që janë në procedurat e legalizimit të armëve, por jo edhe për personat të cilët u zihen armët.

Zeka: Pezullimi i nenit 374 i Kodit Penal vlen vetëm për personat që janë në procedurat e legalizimi të armëve

“Në momentin që ne e shpallim me 17 dhjetor zyrtarisht legalizimin domethënë pezullohet ky nen për të gjithë ata njerëz të cilët vijnë, por edhe bëjnë kërkesë për legalizim pezullohet për ta, se deri në këtë moment ata janë aspekte ilegale, prej momentit që futen në proces për ta nuk vlen ky nen, por në rasti tjetër, në rastin ekstrem që iu zihen armët natyrisht që vlen ligji ashtu siç ka qenë“ , ka deklaruar Zeka.

Në bazë të nenit 374 të  Kodit Penal , kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. Ndërsa nëse vepra penale nga paragrafi i parë  i këtij neni përfshin më shumë se katër  armë ose më shumë se 400 fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të organizojë një fushatë vetëdijësuese përmes së cilës qytetarët do të informohen rreth procedurave të legalizimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat