I dënuari për vjedhjen e lopëve ankohet për kërcënime për pranim të fajësisë - Bota Sot
I dënuari për vjedhjen e lopëve ankohet për kërcënime për pranim të fajësisë

Kronikë e zezë

I dënuari për vjedhjen e lopëve ankohet për kërcënime për pranim të fajësisë

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 15:59
Foto ilustrim

Visar Selmani, i dënuar me 32 muaj burgim nga Gjykata në Prizren, i tha sot një kolegji të Gjykatës së Apelit se ka qenë i detyruar ta pranojë fajësinë në shkallën e parë.

38 vjeçari nga Mitrovica sot ka dalë para gjykatës së Apelit pas ankesës së tij për gjykimin e shkallës së parë.

Ai po pretendon se nuk e ka kryer veprën për të cilën është dënuar.

“Zoti gjyqtar, nuk i kam ba unë këto vepra, më kanë shti me zor me pranu fajësinë. Unë kurrë në jetën tem nuk kamë qenë në Prizren”, tha ai.

Kur u pyet nga kryetari i kolegjit, gjykatësi Ferit Osmani, pse e kishte pranuar fajësinë, Selmani tha se ka nënshkruar “me zor”.

“Më kanë shti me zor me nënshkru, më kanë kërcënu me familje Bajram Selmani dhe Rasim Selmani”, tha ai.

Gjykatësi më pas e pyeti pse ka bërë marrëveshje për pranim të fajësisë, por arsyetimi i tij ishte i njëjtë.

“O veç me dalë prej burgut, më kanë thënë të lëshojnë, nuk të dënojnë, u dasht me pranu, s’disha as qysh është marrëveshja. Unë kam nënshkru, ma kanë pagu avokatin”, tha Visar Selmani.

Pas kësaj deklarate, gjykatësi Osmani e udhëzoi që të kërkojë takim me prokurorin dhe t’i tregojë personat që e kanë kërcënuar dhe shantazhuar.

Ndërsa të dëmtuarit Kadri, Sinan dhe Hisni Karavidaj nga Mazreku deklaruan se i bashkangjiten ndjekjes penale, kërkojnë dëmshpërblimin dhe kërkojnë ta dinë se kush i kishte prirë që të shkonte në Mazrek në pikë të natës.

Gjykata e Prizrenit më 11 prill 2019 i kishte shpallur fajtorë Visar  dhe Arsim Selmanin në akuzat për vjedhje të rëndë rëndë në vazhdimësi duke i dënuar me nga 32 muaj dënim me burgim dhe 500 euro gjobë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit, nga data 15 deri me 17 nëntor 2018, të akuzuarit në fshatin Mazrek të komunës së Prizrenit  kishin vjedhur  5 lopë dhe 2 mëzet të cilat pastaj i kishin shitur.

Gjithnjë sipas aktakuzës , në mesnatën e datave 15-17 nëntor dukë e ditur se stallat e bagëtive  janë pa mbikëqyrjen e pronarëve në atë kohë, ata me forcë kishin hapur dyert  e tyre duke marë nga i dëmtuari Kadri Karavida 2 mëzet dhe 2 lopë, të dëmtuarit Hisni Karavidaj i kishin vjedhur 2 lopë, ndërsa të dëmtuarit Sinan i kishin vjedhur një lopë.

I dënuari kishte bërë ankesë që gjykata e shkallës së dytë t’ia zbusë dënimin në 30 muaj, dhe ta ndryshojë vendimin mbi dënimin me gjobë pasi nuk kishte mundësi financiare ta paguante atë.

Ndërsa Prokuroria e Apelit kishte kërkuar nga gjykata që ankesën ta refuzojë këtë kërkesë.

Lidhur më ankesën e Selmanit Gjykata do t’a njoftoje me vendim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...