SPAK sekuestron fabrikën e lëndëve plastike në Shijak, makina e llogari bankare

Kronikë e zezë

SPAK sekuestron fabrikën e lëndëve plastike në Shijak, makina e llogari bankare

Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 10:24
Policia

Një fabrikë për prodhimin e lëndëve plastike në Shijak, Durrës, tokë arë, makina dhe llogari bankare janë sekuestruar nga SPAK në kudër të hetimit të procedimit penal për grup të strukturuar kriminal ku janë të arrestuar dhe Bledar Seferi alias Hakorja dhe shtetasi italian Giovani Di Cosimo

Ky është procedimi nr 1 penal për vitin 2020 i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Në kuadër të këtij procedimi penal nga Prokuroria e Posaçme janë bërë verifikime pasurore, për shtetasin Bledar Seferi (alias Hakorja), si dhe për familjarët e tij, bazuar në ligjin Nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”( i ndryshuar). Në përfundim të hetimeve pasurore janë konstatuar pasuri të pajustifikuara, për të cilat është kërkuar sekuestrimi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë  kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila me vendimin Nr.03 datë 07.02.2020, ka vendosur sekuestrimin e pasurive  të mëposhtme :

Një fabrikë për prodhimin e lëndëve plastike në Shijak, Durrës. Asetet, aksionet/kuotat dhe pasuritë e subjektit “REY PLASTICA” sh.p.k. me NIPT L71325502Q, me status aktiv.

Pasuria e llojit Arë+Truall me sipërfaqe 5954 m², nga kjo sipërfaqe ndërtesë 3070 m², ndodhur në Durrës. Në këtë pasuri ushtron aktivitetin subjekti “REY PLASTICA” sh.p.k.

Pasuria e llojit ullishtë me sipërfaqe 6550 m², ndodhur në Tiranë.

Automjetet e markës “Fiat”, modeli 500, viti prodhimit 2008 dhe markës “Land Rover”, modeli RANGE ROVER, viti prodhimit 2014;

Automjet i markës “AUDI”, modeli A2, viti prodhimit 2001;

Automjet i markës “Fiat”, modeli 500L, viti prodhimit 2014;

Automjet i markës “Mercedes Benz”, modeli B180 CDI, viti prodhimit 2012;

Llogari bankare në shumën 3.103.244 lek.

Llogari bankare në shumën 21.022 euro.

Vendimi i gjykatës është ekzekutuar me datë 11.02.2020 nga strukturat e policisë gjyqësore dhe pasuritë e sekuestruara janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, deri në përfundimin e procesit gjyqësor për konfiskimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat