30 sekonda larg tragjedisë/ Policia shpëton të riun që tentoi të hidhej nga ura

Kronikë e zezë

30 sekonda larg tragjedisë/ Policia shpëton të riun që tentoi të hidhej nga ura

Më: 16 maj 2020 Në ora: 22:57
Foto ilustrim

Një njësi patrulluese e autostradës me shërbim rutinë në autostradën Trudë-Mazgit, pikërisht në urën e autostradës në fshatin Bardhosh kanë parë një të ri që tentonte hedhjen nga ura.

Zyrtarët policorë, rreshteri B.B., dhe zyrtari policor Sh.D., menjëherë kanë filluar ndërhyrjen. Në vendngjarje, pas të riut që ishte në tentativë që të hidhej ishin dy të mitur që e mbanin me forcë dhe i luteshin të mos hidhej.

Policët duke përdorur metoda të komunikimit nga distanca dhe duke iu afruar me kujdes personit në fjalë arrijnë të kalojnë pengesat e autostradës, ta mbajnë me komunikim derisa i afrohen dhe e marrin nën kontroll. E gjithë kjo ka qenë jo më shumë se 30 sekonda, duke e hutuar të riun që kishte marrë vendimin fatal për jetën e tij.

Sipas një komunikate të policisë, njësiti i autostradës ka ftuar policët e rendit nga Stacioni Policor “Veriu” në Prishtinë që të vijnë në vend-ngjarje dhe të vazhdojnë ta trajtojnë rastin. Aty, më pas mbërrin dhe babai i personit që kishte tentuar të hidhej nga ura.

I riu më pas është shoqëruar për në Qendrën Psikiatrike të QKUK-së dhe po ashtu policia ka njoftuar edhe Qendrën për Punë Sociale. Rasti është në trajtim nga institucionet përkatëse. “Policia apelon të gjithë ata që kanë informata apo janë dëshmitarë të rasteve të tilla të thërrasin në numrin 192, në mënyrë që parandalohen raste të tilla”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat