Për nëntë muaj, 55 persona humbën jetën në aksidente komunikacioni në Kosovë

Kronikë e zezë

Për nëntë muaj, 55 persona humbën jetën në aksidente komunikacioni në Kosovë

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 19:20
Foto Ilustrim

Aksidentet në komunikacionin rrugor vazhdojnë të shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve aksidentale në Kosovë. E, që nga fillimi i vitit 2020 e deri në shtator, vdekjen nga aksidentet e kanë gjetur 55 persona.

Kurse numri i aksidenteve me persona të lënduar ka qenë 3 mijë e 663, ku në këto aksidente janë lënduar 6 mijë e 825 persona.

Zyra për media në Policinë e Kosovës bën të ditur për Telegrafin se numri total i aksidenteve janar-shtator 2020 është 9 mijë e 295, ku prej tyre 5 mijë e 581 raportohet të kenë qenë vetëm me dëme materiale.

Ndërsa në vitin 2019, Policia bën të ditur se në periudhën janar- shtator- ka pasur më shumë aksidente me fatalitet.

Në periudhën janar-shtator të vitit 2019  kanë humbur jetën 76 persona. Ndërsa kanë ndodhur 11 mijë e 732 aksidente, 4 mijë e 443 kanë qenë aksidente me persona të lënduar kurse 7 mijë e 223 vetëm me dëme materiale.

Të dhënat për aksidentet në vitet paraprake: 

Në vitin 2018 vërehet rënie e numrit krahasuar me 2017:

• Aksidenteve në trafikun rrugor, nga 17.695 në 15.741 aksidente, apo rënie për 11.04 %.

• Aksidenteve me dëme materiale, nga 11.183 në 9.424, apo rënie për 15.72%.

• Aksidenteve me pasoja fatale, nga 122 në 100, ose rënie për 18.03%. Nga ky numër i aksidenteve, 129 persona kanë humbur jetën, që krahasuar me vitin 2017 shënon një rënie për 5.83%.

• Aksidenteve me lëndime, nga 6.390 në 6.217, ose rënie për 2.70%. Nga ky numër i aksidenteve, 12.360 persona janë lënduar, që krahasuar me vitin 2017 shënon rënie për 2.25%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat