Vrau nga pakujdesia shokun ndërsa kishin dalë për gjah, arrestohet 27 vjeçari, sekuestrohet arma e krimit

Kronikë e zezë

Vrau nga pakujdesia shokun ndërsa kishin dalë për gjah, arrestohet 27 vjeçari, sekuestrohet arma e krimit

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 20:03
Elidon Basha 

Policia ka arrestuar 27-vjeçarin, Klodian Kola, i dyshuar si autor i vrasjes aksidentale të shokut të tij Elidon Basha 22 vjeç.

Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e djeshme në Fushë Bulqizë.

Policia ka proceduar penalisht edhe prindërit e tij shtetasit H.K e M.K për  veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Si rezultat  i veprimeve hetimore u  bë e mundur gjetja e armës së zjarrit tip ‘Kallashnikov’, me të cilën autori nga pakujdesia plagosi me pasojë vdekjen 22- vjeçarin, ngjarje e ndodhur në vendin e quajtur Fusha e Peladhisë, në afërsi të ish Repartit Ushtarak , vend në të cilin kishin shkuar për gjueti.

Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale motomjeti me të cilin kishin lëvizur për gjueti, një armë gjahu , një kallashnikov, një pushkë sportive, një gjerdan me fishekë, një elektrik dore  si dhe rrobat me njolla gjaku që autori kishte veshur në momentin e ngjarjes.

Sipas policisë “autori së bashku me prindërit  kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe konkretisht kanë fshehur motorin me të cilin ka lëvizur i arrestuari dhe viktima, kanë fshehur robat me njolla gjaku të cilat mbante veshur autori, në momentin e ngjarjes, si dhe  kanë çmontuar e pastruar armën e gjahut të cilën i arrestuari e ka patur në momentin e ngjarjes”.

Materialet  hetimore në ngarkim të autorit të dyshuar dhe prindërve të tij i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale në ngarkim të shtetasit K.K, ” Vrasja nga pakujdesia”, “Armëmbajtje  pa leje”,”Prodhimi dhe mbajta pa leje e armë të gjuetisë”,  “Drejtimi i mjetit në mënyrë të pa rregullt”,  dhe ndaj prindërve të tij për veprën penale “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat